zoom

Aktualitet

SPAK sekuestron miliona lekë, euro e dollarë të Ilir Beqajt dhe bashkëpunëtorëve të tij

SPAK vendosi këtë të mërkurë nën sekuestro llogaritë bankare të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Të sekuestruara me vendim të SPAK janë miliona lekë, euro dhe dollarë.

Në sekuestro preventive, sipas SPAK, janë vënë edhe tre automjete të Ermal Kurtulajt dhe Elton Marinit.

Njoftimi i SPAK:

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.430, datë 15.07.2024, i ndryshuar me vendimin nr. 34, datë 09.08.2024, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare, shuma të parave, e të tjera, si më poshtë vijon:

14 323 125 (katërmbëdhjetë milon e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë;

15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro;

42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD;

Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim G.H., E.M; I.B., E.K., B.Z., B.L; dhe shoqërive tregëtare të personave nën hetim”, njofton SPAK.

Po ashtu, në sekuestro preventive kanë kaluar edhe mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k., tre automjete të regjistruar në pronësi të personave nën hetim Elton Marini dhe Ermal Kurtulaj.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara po kryejnë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e këtyre vendimeve.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë apo për fakte të tjera penale.

Akuzat e SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtori i tij Ermal Kurkutaj ndodhen në qeli që prej fillimit të muajit korrik, pasi akuzohen për shpërdorim të fondeve të BE.

Drejt burgut ish-ministrin Ilir Beqaj e çoi një procedim penal i nisur 6 shtatorin e vitit të kaluar, regjistruar në ngarkim të Ermal Kurtulajt, koordinatori i EUSAIR, projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian dhe që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), ku Beqaj ishte drejtor.

SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes restorantit në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.