Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka lëshuar sot sërish akuza të rënda ndaj SPAK-ut, duke i krahasuar veprimet e tij në hetimet kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, me metodat e policisë sekrete të kohës së komunizmit.
Sulmet nisën pas arrestimit të Veliaj, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Rames dhe një figurë kyçe e Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të 11 majit dhe po intensifikohen me një shpejtësi marramendëse.
Duke përdorur një metodë të Sali Berishës, “qytetarin digjital”, të cilën ai vetë e ka kundështuar me sulme e fjalor denigrues, Rama insinuoi se gjyqtari që firmosi urdhrin për arrestimin e Veliajt dhe prokurori kanë vepruar politikisht.
Ai i cilësoi ata si “të djathtë” që paskan shprehur synimin për të “shkrirë” qeverinë dhe të majtën.
“Bëhet fjalë për dyy kamikazë të PD-së në GJKKO që se kanë asnjë problem ta shprehin në mjedisin tonë kënaqësinë e të marrin në dorë të këtij dhe atij, duke thënë që ne do t’i shkrijmë” -deklaroi Rama në dëgjesën e kërkuar me grupin parlamentar të PS nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, edhe ajo nën hetim nga SPAK se ka penguar drejtësinë në hetimin për Veliajn dhe Xoxën.
Në të njëjtën kohë që sulmoi gjyqtarët dhe prokurorët, Rama tha se nuk po e sulmon SPAK-un, por kërkon standarde në hetimet e tij. Sipas Ramës, prokurorët e SPAK-ut po përdorin metoda të ashpra dhe po i marrin personat nga rruga për t’i pyetur duke ushtruar presion ndaj tyre.
Por ky qëndrim i Ramës bie ndesh me sjelljen e tij të mëparshme ndaj kritikave kundër SPAK-ut. Kur ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj e paralajmëroi se SPAK po vepronte pa prova dhe se ai mund të hetohej në gjendje të lirë, Rama heshti dhe madje e sulmoi Ahmetajn, duke thënë se “nëse do kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”.
Po ashtu, kur ish-presidenti Ilir Meta denoncoi se SPAK po e përdorte drejtësinë për qëllime politike, Rama e etiketoi Metën me përçmim si “subjekt të SPAK” dhe i përbuzi ankesat e tij. Njësoj edhe me liderin e opozitës, Sali Berisha, i cili ka kërkuar shpeshherë transparencë dhe drejtësi të barabartë, por Rama e ka etiketuar si “bufi i kënetës” dhe “non grata” që duhet të japë llogari para SPAK, pa parë dosjen e tij, pa kërkuar prova, por duke dhënë “Ok” pa asnjë provë që Berisha të arrestohej.
Tani, kur arrestimi i Veliajt prek drejtpërdrejt kupolën socialiste, Rama ka ndryshuar narrativë dhe flet për standarde dhe barazi para ligjit, çka jo vetëm e tregon kryeministrin si një politikan me dy standard, por ngre dyshime të mëdha mbi qëllimet e Ramës ndaj drejtësisë së re.
Me arrestimin e Veliajt, rreziku për pushtetin e Ramës duket më i madh se kurrë. SPAK ka mbështetjen e fortë të SHBA dhe BE, dhe tashmë duket se nuk ndalet përpara askujt, duke e deklaruar hapur se “tani nuk ka më të paprekshëm”.
Këto dy pozicione të reja mes Ramës dhe Drejtësisë së RE, e vendos Ramën përpara dy rrugëve: ose do të arrijë të ndalë SPAK-un me presionin e tij, ose do të përplaset fort me të, në një betejë që do të lërë pasoja të rënda.
Siç tregon retorika e tij e këtyre dy ditëve të fundit, me gjuhën plot flakë dhe nervat që po e lëshojnë duke bërtitur “fuck, fuck, fuck” në transmetime live në një zyrë shteti, ai nuk do të gjejë paqe derisa të sigurohet se SPAK nuk do t’i rrezikojë pushtetin. Ai ia tha qartë dje Prokurorisë së Posaçme se pushtetet ishin të ndara dhe se ai ishte i zgjedhur nga populli, ndërsa SPAK paguhej në rroga të majme nga “bujaria” e tij si kryeministër.
Një gjë është e qartë: SPAK është një strukturë që nuk e kontrollon askush dhe ky shqetësim Ramës i është ngritur nga politikanë e gazetarë, por për sa kohë nuk i rrezikohej karrigia, ai vazhdonte të bënte shurdh-memecin dhe të krenohej me krijesën e tij. Tani, reagimi i tij duket i vonuar. Teksa sheh që revolucioni në drejtësi po ha bijtë e tij, ai ka zënë frëngjinë dhe po e qëllon me sa fuqi i ka mbetur, duke paralajmëruar një përplasje të drejtpërdrejtë mes tyre, me pasoja të rënda për njërën palë. / Zoom.al