Aplikacion
Me detaje, raporti tregon se bankat tregtare në Shqipëri shërbejnë si lavatriçe të parave.
Fillimisht, janë subjektet tregtare, pra bizneset shqiptare që luajnë ndërmjetësin për kriminelët e huaj, kryesisht mafia italiane. Përfaqësuesit e këtyre bizneseve thotë SPAK, me anë të aksesit në bankat e vendit, shtresëzojnë transfertat që më pas kalojnë në shtete të tjera.
Raporti jep dhe një rast konkret, ku një individ pastronte paratë e organizatës kriminale ‘Cosa Nostra’, që kishte hapur një fondacion me qendër në Lihtenshtajn, llogarinë e kishte hapur në Zvicër dhe paratë i dërgonte tek ndërmjetësi shqiptar, që i mbante në llogarinë e tij personale, në një bankë tregtare.
Nga llogaria personale, paratë i kalonin biznesit që merrej me tregti karburantesh më formë huaje, e cila më pas i kalonte në një shoqëri në Hong Kong, me anë të blerjeve fiktive të karburantit. Për këtë shërbim, Shqiptari do të përfitonte 16% të vlerës që do të pastrohej, rreth 3 mln euro.
SPAK thekson se tregu imobiliar dhe ndërtimi janë po ashtu tepër të ekspozuara ndaj pastrimit të parave, si forma më e përhapur e investimit.
Sipas hartës kriminale që Prokuroria ka botuar, Tirana është qendra e larjes së parave, ndjekur qytetet bregdetare, si Durrësi, Vlora e Fieri, por është hasur dhe në Shkodër e Elbasan.
Pak muaj më parë, Task-Forca e BE-së kundër pastrimit të parave, nxorri Shqipërinë nga “lista gri”, duke vlerësuar se rreziku për këtë aktivitet është i ulët. Fill pas këtij vendimi, OKB publikoi një raport për Shqipërinë ku analizonte se si vendi, kryesisht Tirana është bërë qendër e larjes së parave të pista me anë të pasurive të patundshme.