Aplikacion
Në një reagim zyrtar, SPAK sqaron se nuk është gjetur asnjë provë që implikon në këtë çështje Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit.
“Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Olsi Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Posaçme.
SPAK sqaron më tej se në dhjetor të 2024-ës vendosi të pezullojë hetimet për këtë çështje, me argumentin se autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar, ndërsa dosjen ia dorëzoi Policisë së Shtetit për identifikimin e autorëve. Vetë Olsi Rama ka depozituar më herët dy padi në SPAK, ku e akuzonte Gazment Bardhin për kallëzim të rremë, ndërkohë që kjo çështje solli disa herë përplasje në distancë mes kryeministrit dhe kreut të grupit demokrat.