zoom

Lajme

SPAK, kontrolle të tjera në apartamentin e Ajola Xoxës tek Sky Tower

SPAK ka vazhduar veprimet hetimore ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, të dy të dyshuar si pjesë e një skeme të pastrimit të parave të korrupsionit.

Të martën, 14 janar, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle të befasishme në një apartament që përdorej nga Ajola Xoxa në funksion të kompanisë së saj “Harabel”.

Një burim tha për Lapsi.al se kontrolli është kryer me vendim të gjykatës speciale dhe se apartamanti gjendej tek Sky Toëer në Tiranë. I njëjti burim tregoi se në banesë janë sekuestruar dokumenta të nevojshme për hetimin e skemës së pastrimit të parave të ngritur nga miku i Erjon Veliajt, Elman Abule.

Abule dhe bashkëshortja e tij Marisa Nito u morën në pyetje nga SPAK disa ditë më parë. Bashkë me Erjon Veliajn dhe Ajola Xoxën ata dyshohet se janë pjesë e një skeme të pastrimit të parave, në bazë të së cilës SPAK ka ngritur tre akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Agjentët e BKH kryen kontrollet e para në shtëpinë e Veliaj dhe në zyrat e kompanive të Ajola Xoxës në fund të vitit të kaluar në bazë të një kallëzimi anonim nga një person me emrin e rremë Nesti Angoni.

“Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm” thuhej në njoftimin e SPAK.

Pas thirrjes së fundit në prokurori kur mësoi për denoncimin e Nesti Angonit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj e krahasoi punën e prokurorëve të SPAK me atë të sigurimit në diktaturë, duke i akuzuar se kanë përdorur presione dhe frikësim për t’i detyruar të dëshmojnë kundër vetes.

Postime të lidhura