zoom

Aktualitet

SPAK konfirmon arrestimin e Ilir Beqajt me vendim të GJKKO. Zbulohet arsyeja dhe momenti i ndalimit

Prokuroria e Posaçme ka reaguar paraprakisht me një njoftim të shkurtër për arrestimin e ish-ministrit Ilir Beqaj, në lidhje me çështjet hetimore që ka në proces ndaj tij dhe të tjerëve, teksa në foto shihet dhe momenti i ndalimit të ish-zyrtarit të lartë socialist.

Organi i akuzës konfirmon ndalimin e ish-zyrtarit të lartë socialist me vendim “arresti me burg” të miratuar edhe nga GJKKO, sepse pa miratimin e saj në fazën e hetimeve dhe dosjes nuk mund të ndërhynte. Por sqaron se shpjegimet e detajuara do i jepte në një njoftim më të zgjeruar për shtyp.

Gjithashtu njoftohet se janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtorë të Beqajt, mes tyre edhe Ermal Kurtulaj, njeriu i tij i afërt te SASPAC. institucion në varësi qeveritare, nga i cili Beqaj dha dorëheqjen menjëherë pasi SPAK e mori nën akuzë.

“Duke marrë në konsideratë kërkesat tuaja për informacion lidhur me arrestimin e shtetasit Ilir Beqja, ju konfirmoj se, sot është kryer arrestimi e këtij shtetasi në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për një informacion më të plotë, SPAK do te vijojmë më pas me një njoftim zyrtar për shtyp”, njoftoi SPAK për mediat.

Bëhet me dije se arrestimi nuk ka ardhur për koncesionet në shëndetësi, procesi gjyqësor për të cilat ka nisur në gjendje të lirë ndaj Beqajt, por për një çështje të re. Paraprakisht njoftohet se ka të bëjë me shpërdorim të dyshuar fondesh te SASPAC. /ZOOM.AL/