zoom

Aktualitet

SPAK kërkon 1 vit burg për ish-kryebashkiakun e Pogradecit

Prokuroria e Posaçme dha pretencën këtë të martë duke kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj të ish-kryebashkiakut të Pogradecit, Eduart Kapri, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, e kryer në bashkëpunim.

SPAK tha se për shkak të gjykimit të shkurtuar, Kapri duhet dënuar me 1 vit heqje lirie.

SPAK e mori të pandehur ish-kryebashkiakun pasi e akuzon se, me ndihmën e dy zyrtarëve të tij, lejoi përfundimin e punimeve të pezulluara të pallatit 12-katësh të shoqërisë Gedi sh.p.k, ku ai vetë ka qenë adminstrator.

Organi hetues thotë se pasi fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie, firmën e kaloi në emër të të vëllait. Sipas hetimeve, pallati që ishte 12-katësh në lagjen nr. 3 të Pogradecit, u bë dhe me 2 kate shtesë, pra 14 kate.

Të pandehur për akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’ janë marrë dhe juristi i bashkisë, Besjan Meço dhe Besmira Niko, në cilësinë e Specialistes pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Pogradec.

Për Besmira Nikon, prokurorja Manjola Kajana kërkoi 8 muaj burgim që të konvertohet në shërbim prove 1 vit e 6 muaj dhe për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike.

Për Besian Meçon u kërkua 1 vit burg, të pezullohet në 1.4 muaj shërbim prove dhe me dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike.

Seanca për mbrojtje dhe vendim u caktua në datë 5 shkurt, ora 12.00.