Aplikacion
Nga Kapitali.al
Ditën që SPAK dërgoi në gjykatë kërkesën për arrestimin e Ilir Metës me akuzën e korrupsionit, ndër të tjera edhe sepse përdori ndikimin për të favorizuar kompaninë Plus Communication, në një gjykatë tjetër të Tiranës zhvillohej një tjetër seancë. Ajo e falimentimit të kompanisë Plus. Kush thotë se fati nuk ka humor!
“Gjykata, bazuar në nenet 126, 306–308,të K.Pr.Civile, nenin 26 e vijues të ligjit nr. 110/2016, “Për falimentimin”, vendosi pranimin e kërkesës së kërkuesit, “Plus Communication”sh.a.2 dhe hapjen në orën 09:25, të datës 17.10.2024, të procedurës së falimentimit të shoqërisë “Plus Communication” sh.a., me administratore znj. Matilda Shehu,” thuhet në vendimin e gjyqtares Alma Kodraliu.
Hapja zyrtare e procedurës së falimentimit të kompanisë Plus përmbyll kapitullin e fundit të një investimi që u kushtoi shumë shtrenjtë disa biznesmenëve shqiptarë. Mes tyre ishin Samir Mane, Vjollca Hoxha, Edmond Leka dhe të tjerë. Sipas të dhënave, nga bilancet zyrtare këta biznesmenë humbën në total 50 milionë euro nga investimi në kompaninë Plus, e cila nuk arriti t’i mbijetontë dot luftës së ashpër, jo vetëm të pandershme, por edhe të paligjshme nga kompanitë e mëdha telefonike, veçanërisht Vodafone dhe AMC.
Historia
Plus Communication e filloi aktivitetin në qershor të vitit 2009. Në atë kohë, tregu shqiptar i telefonisë përballej me tarifat më të shtrenjta në Europë që diktonte duopoli i kompanive Vodafone dhe Telecom Albania (ish AMC). Për këtë mjafton vetëm një fakt i thjeshtë. Në vitin 2009, të dy operatorët së bashku deklaruan fitime prej rreth 170 milionë euro, nga 340 milionë euro të ardhura që realizoi gjithë tregu i telefonisë celulare atë vit.
Me një normë fitimi prej 50 për qind të dy kompanive, gjysmat e shumës që shqiptarët shpenzonin për të folur në telefon shkonte si fitime për dy kompanitë me kapital të huaj, një pjesë e konsiderueshme e të cilave transferoheshin jashtë vendit.
Hyrja e dy operatorëve të rinj në treg Plus dhe Eagle, u pa si një shpresë për të ulur tarifat e çmendura të telefonisë që prej vitesh rripnin shqiptarët. Dhe kjo në fakt ndodhi. Tarifat u ulën me shpejtësi pas vitit 2010. Të ardhurat mesatare për minutë/përdorues (ARPM) u ulën nga 6.49 lekë/minutë në vitin 2010 në 2.36 lekë për minutë në 2015-n, një reduktim prej tre herë. Konkurrenca e shtuar çoi në rënien e ndjeshme të fitimeve të dy operatorëve kryesorë, Vodafone dhe Telecom Albania, fitimi i të cilëve ra nga 170 milionë në vetëm 9 milionë në vitin 2015.
Por ndërsa konsumatorët panë përfitime të shpejta nuk ndodhi e njëjta gjë me dy kompanitë e reja. Që në fillimet e aktivitetit, ato u përballën me luftën e ashpër nga operatorët e mëdhënj, që nisën të ofronin tarifa shumë të lira brenda rrjetit të tyre, duke “larguar” klientët nga të vegjlit. Ekzistenca e grupeve dhe “klubeve” brenda operatorëve të mëdhenj, sillte diferenca të mëdha çmimesh në komunikimin drejt rrjeteve të tjera, duke krijuar mure mbyllëse për abonentët. në atë kohë, si Plus ashtu dhe Eagle akuzuan autoritetet se përmes mos ndërhyrjes, jo vetëm që kishin dëmtuar financiarisht Plus-in, por po lejonin edhe dëmtimin e konsumatorëve.
Në atë kohë Plus dhe Eagle ankoheshin vazhdimisht se ishin diskriminuar e zvarritur në mënyrë sistematike nga autoritetet, nëpërmjet mosrregullimit të tregut, duke përmendur me radhë çështjen e ndryshimit të tarifave brenda dhe jashtë rrjeteve, çështjen e asimetrisë të aplikuar ndryshe për operatorë të ndryshëm, sigurisht duke diskriminuar Plus-in, apo për çështjen jashtëzakonisht të zvarritur të dhënies së autorizimit për shërbimet 3G, duke kulmuar edhe me trajtimin haptazi me dy standarde të një çështjeje të ngjashme të sjellë në vëmendje të tij nga operatorët në treg, në lidhje me shfrytëzimin e frekuencave 3G dhe 4G.
Madje Plus ishte i vetmi operator i katërt në Europë, që nuk iu dha “roaming kombëtar”, në periudhën në të cilën parashikohej ndërtimi i rrjetit të transmetimit, duke e diskriminuar kështu në një treg tashmë të saturuar në aspektin e penetrimit. Përballë kësaj situate, kompania u vu në vështirësi dhe në vitin 2014 humbjet ishin 1.4 miliardë lekë, nga 1.8 miliardë lekë që ishte totali i të ardhurave.
Ndikim, por falimentim
Në dosjen e akuzës për Ilir Metën, Prokuroria pretendon se ai ndërhyri disa herë tek zyrtarët e LSI-së, për të zgjidhur problemet e kompanisë plus duke ushtruar kështu ndikim.
“Piro Xhixho e informonte Monikën për takimet dhe zhvillimet që kishin ndodhur lidhur me kompaninë Plus, aksioner i së cilës ishte Samir Mane. Xhixho përmend gjithashtu ndërmjetësimin e Ilir Metës, të cilin e referon si “Shefi”, për të zgjidhur çështjet e kompanisë Plus dhe për të mbajtur një balancë mes interesave të operatorëve kryesorë si Vodafone dhe AMC,” thuhet në dosjen e SPAK.
Përpos kësaj, në dosje thuhet gjithashtu se aksionerët e kompanisë janë takuar disa herë me ish drejtuesin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Por pavarësisht takimeve që Samir Mane, Vjollca Hoxha, Edmond Leka apo dhe Armand Duka zhvilluan me Pirro Xhixhon, rezultati final ishte se ata humbën 50 milionë euro në aventurën e tyre me Plus.
Kjo është një situatë ku akuza dhe rezultati final nuk shkojnë shumë me njëra tjetrën. Ndikimi i Ilir Metës, ose interesimi i tij tek Pirro Xhixho për llogari të aksionerëve të Plus përfundoi me 50 milionë euro humbje për aksionerët e kompanisë. Edhe kjo ironi e madhe. Ndikim për falimentim.
“Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Korenë e Veriut në këmbim të forcave të saj”