Aplikacion
ILD kishte konstatuar gjatë verifikimeve pas ankesave qytetare, shkelje të rënda nga prokurori, që cenonin figurën e magjistratit dhe institucionit. Një prej shkeljeve ishte edhe favorizimi i vjehrrit të tij, ndërsa kishte pasur ankesa për sjelljen edhe ndaj kolegëve magjistratë.
Si masë në dy procedime ishte kërkuar ulja e rrogës me 40% për një vit dhe largimi si kreu i institucionit të akuzës në Sarandë, meqë nuk kishte pasur precedentë administrativë të mëparshëm. Por KLP vendosi sot gjatë mbledhjes vetëm një masë të pjesshme, si ajo e vërejtjes ndaj magjistratit, që e ruan detyrën dhe rrogën e tij.
Llaho ndërkohë është nën hetim nga SPAK, si dhe me masën e sigurisë ‘pezullim nga detyra’, i dyshuar për ‘korrupsion pasiv’, pasi dyshohet se me veprimet dhe mos veprimet e tij ka favorizuar vjehrrin.
Njoftimi për VENDIMIN e KLP:
“Në seancën e sotme Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj magjistratit K.Ll., prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, duke i caktuar masën “vërejtje publike”.
Hetimi disiplinor i ILD-së ndaj magjistratit ka nisur bazuar në ankesën e një qytetareje, të paraqitur përmes formularit online në faqen e ILD-së, me pretendimin për zvarritje të hetimit të procedimit penal nga ana e prokurorit K.Ll.
Hetimi disiplinor konkludoi se nga ana e prokurorit K. Ll. janë ndërmarrë veprime dhe mosveprime, të cilat kanë të bëjnë me mos përmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuar të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve; mosveprimet e prokurorit janë kryer me faj me dashje direkt, duke mos përmbushur detyrat e lëna nga gjykatat, duke lënë pa veprime dosjen hetimore për një periudhë mbi 2 vjeçare.
Raporti hetimor i ILD-së vëren, se si pasojë e shkeljes disiplinore të kryer nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor është cenuar prestigji i figurës së prokurorit, si dhe është cenuar besimi i publikut të drejtësia, ndërsa kjo sjellje e papërshtatshme mund të krijojë terren për raste të tjera të ngjashme.
Duke marrë në konsideratë se magjistrati nuk ka masë disiplinore dhe nuk ka kryer shkelje tjetër disiplinore, ILD i propozoi KLP-së marrjen masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës” në masën 40 % për një afat një vjeçar ndaj prokurorit K.Ll., parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “c” dhe neni 108 i ligjit “Për statusin”, kërkesë që u pranua pjesërisht nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që vendosi caktimin e masës “Vërejtje publike” për prokurorin K.Ll”.