zoom

Aktualitet

SPAK e konfirmon zyrtarisht: Bisedat e pretenduara të SKY për Gazment Bardhin janë të sajuara

SPAK ka reaguar në lidhje me denoncimin e bërë nga Gazment Bardhi për mesazhet e ardhura në adresë të tij në aplikacionin Signal, ku përmendeshin emrat e disa personazheve të krimit.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal.

“Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/EÇ janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.

Prokuroria e Posaçme, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve.

I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara”, deklaron SPAK.

Pak kohë më parë Bardhi denoncoi në SPAK mesazhet kërcënuese ndaj tij në platformën e komunikimit “Signal” ku përmendet emri i Ervis Martinajt dhe kërkoi nga SPAK të hetojë.

Ai bëri me dije se mesazhi i ka shkuar nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi “Mbreti Zog”.

“Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë”, shkruhet në SMS-së dërguar kreut të Grupit të PD-së, mesazh që ia ka bashkangjitur letrës dërguar në SPAK.

Postime të lidhura