zoom

Politikë

Sot raundi i katërt për presidentin/ Bajram Begaj, kandidatura e PS-së për kreun e shtetit

Ditën e sotme, në Kuvend do të votohet si president i 8-të i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, aktualisht shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë. Begaj ishte propozim i Partisë Socialiste dhe nëse zgjidhet, do të jetë presidenti i tetë pas pluralizmit, ndërsa i treti që vjen me karrierë ushtarake, pasi më herët e kanë mbajtur postin e kreut të shteti ish-ushtarakë, si Alfred Moisiu dhe Bujar Nishani.

Emrin e tij e bëri publik kryetari i PS-së dhe kryeministri Edi Rama. Rama e cilësoi atë si “shëmbëlltyra e atij normaliteti, qytetarie dhe sensi të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyra ka nevojë urgjente”, duke iu referuar presidentit aktual Ilir Meta, me të cilin mazhoranca ka pasur përplasje të vazhdueshme.

Po para se të shkojë në Kuvend, emri i Begajt do t’i dërgohet paraprakisht Grupit Parlamentar të PS-së, që do të mblidhet paraditen e sotme rreth orës 10:00 dhe nga ku do të mblidhen dhe firmat e nevojshme.

Afati maksimal i përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve është ora 12:00 e 4 qershorit, ndërsa më pas, në orën 16:00 do të mblidhet komisioni i ligjeve, që do të shqyrtojë kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit të propozuar nga PS.

Më pas në orën 18:00, kuvendi do të zhvillojë raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri, teksa Partia Socialiste ka paralajmëruar se do t’i japin vendit Kreun e ri të Shtetit.

Partia Socialiste i disponon votat për të zgjedhur e vetme Presidentin e ri, pasi sipas Kushtetutës, në raundin e  katërt dhe të pestë, ai mund të zgjidhet me 71 vota./ Zoom.al/

Postime të lidhura