zoom

Lajme

Sot protesta e radhës te Bashkia për dorëheqjen e Veliajt, Policia njofton rrugët që do bllokohen

Opozita dhe Aleanca Qytetare kanë lajmëruar dhe pritet të mbajë sot protestën e radhës, një “rit” që e ka nisur javën e fundit të muajit mars, pas skandalit korruptiv me dosjen “5D” të drejtorëve të kryebashkiakut Erjon Veliaj, të cilit i kërkohet edhe dorëheqja.

Ashtu si në çdo tubim, që përfundon në djegie gomash, sulm me molotov e flakadanë, Policia ka njoftuar planin e masave, ndërsa ka bërë me dije rrugët ku do të bllokohet qarkullimi i mjeteve.

SPAK ka arrestuar dhe marrë nën akuzë 8 zyrtarë të bashkisë prej më shumë se 4 muajsh, teksa është thirrur, pyetur dhe po verifikohet kryebashkiaku Veliaj.

“Për shkak të zhvillimit të një tubimi, ditën e sotme, në orën 11:00, përpara Bashkisë Tiranë, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.

Njoftojmë qytetarët se sot, prej orës 09:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Që nga nisja e protestës, ka pasur edhe të arrestuar për molotovët ndaj godinës, teksa numri i të proceduarvë i kalon 50 persona. /ZOOM.AL/