zoom

Aktualitet

Sot protesta e radhës te Bashkia e Tiranës. Policia publikon masat, rrugët që bllokohen

Mbahet sot protesta e radhës e opozitës para Bashkisë së Tiranës, ku kërkohet dorëheqja e Erjon Veliajt. Ashtu si edhe në herët e kaluara, protesta është parashikuar që të nisë në orën 11:00.

Prej fundit të muajit mars të këtij viti, opozita, por dhe përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit protestojnë para bashkinë, në shenjë kundërshtie pas arrestimeve për dosjen 5D, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj.

Ndërkohë, thuajse në të gjitha protestat ka pasur përplasje mes policisë dhe protestuesve, ndërsa këta të fundit kanë hedhur dhe flakadanë dhe molotov në drejtim të bashkisë.

“Në kuadër të një tubimi që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 11:00, përpara Bashkisë Tiranë, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.

Njoftojmë qytetarët se sot, prej orës 09:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”. /ZOOM.AL/