zoom

Lajme

Sot ndeshja më deçizive e kuqezinjve, Shqipëria i luan të gjitha me Kroacinë

Ja ku vjen dhe sfida e dytë e Europianit gjerman për kuqezinjtë. Një sfidë për “brenda ose jashtë” kjo me Kroacinë në Hamburg, ku humbësi me 90% duhet të bëjë valixhet e kthimit në shtëpi.

Te Shqipëria janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij 90 minutëshi, ku kanë disa arsye për të marrë rezultat pozitiv. Fitorja do të ishte ideale, por edhe barazimi ndoshta do të bënte punë për skuadrën tonë, duke e mbajtur në garën e kualifikimit, po të kemi parasysh që kalojnë grupin edhe 4 vendet e 3-ta më të mira.

Kuqezinjtë kanë detyrimin së pari të marrin pikë për të mbetur në lojë për ndeshjen e 3-të në grup me Spanjën. Së dyti, ata kanë shansin për të vërtetuar se Kombëtarja jonë nuk është ajo skuadra e ndrojtur e ndeshjes me Italinë, ku iu dorëzua kundërshtarit ndoshta pa e kuptuar edhe vetë dhe duke çuar dëm avantazhin që mori që në sekondat e para. Nuk ka asgjë për të humbur për Gjimshitin me shokë: të gjitha “bateritë” duhen shkarkuar sot.

Kroacia është ndeshja për të parë Shqipërinë e eliminatoreve, edhe pse dihet që përballë është një ekip ekspert, që ka shkuar deri në finale të Kupës së Botës. Me pak fat kuqezinjtë mund të na rikthejnë sot entuziazmin si para Italisë. /ZOOM.AL/