zoom

Aktualitet

Sot kremtohen Pashkët Ortodokse! Meshë në kohë pandemie

Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtojnë sot ngjalljen e Krishtit në meshën e pashkëve, dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë. Të krishterët në festën e pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit te Zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.

Ndërkohë, këto Pashkë, ndryshe nga viti i kaluar, janë rikthyer në Kisha një pjesë e konsiderueshme e besimtarëve duke ruajtur distancimin sociale, e ndërsa pjesa tjetër i kanë ndjekur ritet nga televizori duke i kryer ata në shtëpitë e tyre. Solidariteti, dhembshuria dhe dashuria për familjen dhe njëri-tjetrin është ajo që na mëson kjo “luftë” me koronavirusin dhe mesazhi që na sjellin Pashkët.

Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkët, në mendje na vjen veza e kuqe. Ajo është një veçori karakteristike e kësaj feste. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Kështu ngjyra e kuqe rikujton gjakun e Krishtit dhe shpëtimin. Veza e Pashkëve është e vjetër, aq sa edhe vetë Krishtërimi dhe kisha e ka pranuar në traditën dhe në praktikën e saj si simbol i Ringjalljes së Krishtit. Krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm “Krishti u Ngjall”!