zoom

Aktualitet

“Solis Farm”, rolex, varëse me diamantë/ SPAK sekuestron pasurinë e vëllezërve Çopja

SPAK goditi sërish këtë të enjte vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion njoftoi se ka vënë nën sekuestro një sërë pasurish të vëllezërve Çopja, të akuzuar për bandë kriminale.

Sipas SPAK, ka dyshime se këto pasuri janë vënë nga aktiviteti i paligjshëm dhe kriminal.

Mes pasurive të sekuestruara, SPAK rendit edhe një restorant të njohur në periferi të Tiranës, “Solis Farm”, orë rolex dhe një varëse floriri me diamantë.

Pasuritë e sekuestuara:

Prokuroria e Posaçme ka vijuar me kryerjen e hetimeve në drejtim të evidentimit dhe sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminal

Pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, (pjesë e OE-së “S. FARM”);
Godinë shërbimesh restorant; kati i parë përbëhet nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon etj.
Oborri (hapsira rreth ndërtesës) në të cilën gjenden tavolina dhe karrige shërbimi, një kënd lojërash për fëmijë, një ambient ku mbahen shpendë të ndryshëm;
Dhomë shërbimi jashtë restorantit;
Sendet dhe orendi, të ndodhura në restorant.
Në po të njëjtën datë, (18.02.2025), në orën 18:45 u procedua nga prokurori me ndalimin e shtetasit P.L., në cilësinë e administratorit të operatorit ekonomik “S. FARM”, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm, në formën e organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287 – 28/1, 333, 334 të Kodit Penal.

Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit P.L., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

Shuma monetare në valutë euro 2940 (dy mijë e nëntëqind e dyzet)
Shuma monetare në monedhë Lekë (ALL), në total 203,000.00 (dyqind e tre mijë)
Orë dore, marka Rolex
1(një) varëse floriri, me pllakë në dukje me përbërje floriri, pas të cilës është gdhendur data 29.09.2022, ndërsa në pjesën e përparme janë të vendosura dhe 3 (tre) gurë të çmuar, në dukje diamante;
4 (katër) telefona.

Akuzat ndaj vëllezërve Çopja

Në gusht të vitit 2024, SPAK zbardhi të paktën 4 atentate me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura, dhe grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas në prillin e vitit 2019.

SPAK zbuloi dhe si vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja e nisën aktivitetin e tyre kriminal vreth viteve 2006 – 2007, duke shpërndarë në sasi të vogla kokaine, derisa arritën të zgjeroheshin edhe ne vende të tjera të Evropës e jo vetëm dhe një nga grupet më të rrezikshme kriminale në Elbasan.

Sipas SPAK, për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve, nëpërmjet vrasjeve me pagesë të personave, të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.

Një ndër to është vrasja e 29 dhjetorit 2018, e njohur si Masakra e Bradasheshit, kur u eliminua Endrit Alibej dhe 2 persona të tjerë, vrasje e cila u pasua me urdhërimin dhe të eliminimit të disa personave të afërm të tij.

Vëllezërit Çopja janë autorë edhe të vrasjes së Klevin Bahos dhe plagosjes e vëllait të tij Aldo (Aleksandër) Baho” në vitin 2019.

Gjithashtu SPAK vërtetoi se ata janë autorë edhe te vrasjes se Andi Zylyfi dhe plagosjes së Ardit Uruçi, 13 dhjetorin 2019, në fshatin Përparim në Peqin, si dhe vrasjen e Klevis Kapllanit shtatorin e vitit 2020, në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë.

Ndërsa kanë mbetur në tentativë vrasjet e Kei Pikut 16 Janarin e vitit 2020 ne Elbasan; Irfan Azizit, nëntorin e vitit 2020, në Urë Vajgurore dhe një punonjësi policie marsin e vitit 2018, në Fier.

Organizata ka arritur të rekrutojë edhe dy punonjës të policisë së shtetit dhe një punonjëse në gjykatën e Elbasanit që u jepte informacione sekrete.

Pasuritë e sekuestruara në janar

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që SPAK vë nën sekuestro pasuritë e vëllezërve Çopja. Në janar, SPAK sekuestroi edhe apartamente, një hotel në Tiranë, toka, si dhe 1 milion euro cash, ndërsa në sekuestro janë vendosur edhe 10 milionë dollarë në kriptovaluta.

Në total janë sekuestruar:
10 mln USD kriptovalutë
4 llogari bankare (afro 130 mije euro në total)
4 vila bashkë me truall
1 hotel në Tiranë
14 troje
4 garazhe
5 njësi shërbimi (dyqane, bare)
3 apartamente (një nga te cilët dublex)
1 shoqëri tregtare + llogaritë bankare.

Postime të lidhura