zoom

Aktualitet

Sokol Sadushi, në krye të Gjykatës së Lartë në shkelje të marrëveshjes për Reformën në Drejtësi

Më 27 nëntor të vitit 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi vendimin për ngritjen e një komisioni të posaçëm për hartimin e Reformës në Drejtësi.

Një nga pikat e atij vendimi ishte se komisioni do të asistohej nga një grup ekspertësh të nivelit të lartë, vendas dhe të huaj, të cilët do të jepnin vlerësimet teknike për të gjitha propozimet për reformën në drejtësi.

Përbërjen dhe rregullat e funksionimit të këtij grupi ekspertësh do ta përcaktonte më vonë vet Komisioni i Posaçëm i Reformës me anë të një vendimi. Pjesë e këtyre rregullave, ishte edhe angazhimi i vet ekspertëve të lartë që do të përfshiheshin në këtë reformë që të mos konkurronin dhe mos të zgjidheshin apo emëroheshin në organet e reja të sistemit të drejtësisë që do të prodhonte reforma në drejtësi. Një marrëveshje kjo për të shmangur konfliktin e interesit, në mënyrë që ekspertët të mos përcaktonin rregulla apo kushte konkurrimi që më vonë do t’i shërbenin atyre për tu emëruar apo zgjedhur në këto struktura.

Grupi i punës i krijuar për këtë qëllim përbëhej nga 24 juristë të njohur, vendas dhe të huaj, të cilët asistuan komisionin gjatë gjithë veprimtarisë së tij.

Pjesë e këtij grupi u bë edhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Sadushi, i cili ashtu si edhe anëtarët e tjerë, me pranimin këtij angazhimi morri përsipër të zbatojë edhe rregullin që të mos bëhej pjesë e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë që do të dlinin pas miratimit të reformës në drejtësi.

Por kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, Sadushi, edhe pse hartues i reformës u bë pjesë e sistemit, duke përfituar edhe lehtësira.

Ai jo vetëm që nuk e zbatoi këtë rregull, por do të zgjidhej në një nga pozicionet më të rëndësishme të piramidës së sistemit të drejtësisë.

Me dekretin Nr.11452 të Presidentit të Republikës, datë 11 mars 2020 ai u emërua gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë që, më 7 korrik të po të njëjtit vit Sadushi u zgjodh edhe zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë.

Për shkak se kjo Gjykatë nuk është ende e plotë dhe nuk ka ende një kryetar të zgjedhur, Sadushi ushtron prej dy vitesh edhe kompetencat e drejtuesit të kësaj gjykate.

Sokol Sadushit është një tjetër shembull për të kuptuar se si u shndërrua Reforma në Drejtësi, e nisur për ta bërë drejtësinë sa të ndershme dhe efikase, aq edhe të besueshme për publikun dhe që po përfundon thjesht në heqjen e ca emrave dhe vendosjen e disa të tjerëve që drejtësisë i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë po aq keq sa ata që ikën.

Shkelja e rregullave nga vetë ata që e hartuan Reformë, cënon drejpërdrëjtë besueshmërinë e saj dhe po ashtu kompromenton të gjithë fabulën mbi të cilën ajo po ngrihet me shumë mund e shumë dyshime.

Për rastin e Sadushit, me vendosjen e tij në krye të Gjykatës së Lartë, ai lëkund fort themelet e integritetit të kësaj gjykate, pasi atë detyrë e ka duke shkelur ligjet qëvetë hartoi. /Zoom.al