zoom

Bota

S’kanë të sosur telashet për Trump, i shkaktoi shtetit 370 mln USD evazion në një dekadë

Ish-presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në një gjykatë në Manhattan sot për mbylljen e argumenteve në gjyqin e mashtrimit civil kundër tij dhe kompanisë së tij, duke përfunduar muaj të tëra procedurash gjyqësore.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James argumentoi në fillim të këtij muaji se Trump duhet të paguajë 370 milionë dollarë për përfshirje në mashtrime financiare gjatë një dekade.

Shuma është dukshëm më e lartë se 250 milionë dollarët që James kërkoi fillimisht kur ajo ngriti padinë në 2022.

Trump kishte kërkuar të jepte vetë argumentet përfundimtare në gjyq, por gjykatësi Arthur Engoron, i cili kryeson çështjen nuk e pranoi kërkesën e ish-Presidentit.

Në emailet e bëra publike nga gjykata, Engoron i tha avokatit të Trump se ish-presidenti nuk mund të përdorë argumentet e tij përfundimtare për të “dëshmuar” ose “komentuar mbi çështje të parëndësishme” dhe ai “mund të mos mbajë një fjalim fushate dhe nuk mund të kundërshtojë Engoron.

Avokati i Trump gjithashtu i kërkoi Engoron-it të vononte argumentet përfundimtare për shkak të vdekjes së fundit të nënës së Melania Trump, por gjykatësi nuk pranoi ta bënte këtë. /ZOOM.AL/