Aplikacion
Ndërmjet ndryshime të bëra në këtë marrëveshje, pronari i ri i këtij koncensioni merrte përsipër reduktimin e fitimit të tij me qëllim uljen e çmimit të biletave për udhëtarët dhe vijimin e investimeve që do të risnin kapacitetet e këtij aeroporti për të pritur një fluks më të madh fluturimesh dhe udhëtarësh.
Kështu, dy nga ndërhyrjet kryesore që parashikon marrëveshja e re e aeroportit kanë të bëjnë me zgjatjen dhe riveshjen e pistës së uljes së avioneve dhe zgjerimin e terminalit të udhëtarëve.
Investimi i parë parashikohet të kap një vlerë prej afro 20 milionë euro, ndërsa ai i zgjerimit të terminalit plotë 24 milionë euro.
Por kur ka kaluar më shumë se 1 vit nga hyrja në fuqi e ndryshimeve të kësaj marrëveshje, kompania që administron aeroportin, në pamundësi për të realizuar investimet gjikante që mori përsipër, ka nisur të bëjë disa ndërhyrje me anë të të cilave kërkon të justifikojë detyrimet që lindin nga kontrata koncensionare me qeverinë.
Ditët e fundit kushdo që i është dashur të shkojë në aeroport, për të udhëtuar apo për të shoqëruar të afërmit e tij, ka parë se pjesa e terminalit të udhëtarëve është përfshirë nga punimet.
Në fakt nuk bëhet fjalë për zgjerim të terminalit ashtu siç edhe ishte parashikuar, por ndarje e atij ekzistues në dy pjesë, duke shfrytëzuar lartësinë e objektit.
Pra bëhet fjalë për një ndërhyrje skandaloze dhe aspak të menduar, që nuk i shkon për shtat një aeroporti, që sipas parashikimeve të institucioneve shtetërore pretendon të presë këtë vit deri në 6 milionë udhëtarë.
Ish-zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj shkruante sot e irrituar se aeroporti tani i ngjan një magazine rifuxhio dhe se ka humbur përfundimisht karakteristikën që përcakton cilësinë e transportit publik, operimin brenda kapaciteteve.
Qeveria shqiptare e zgjati kontratën e Koncesionit me 13 vjet pasi atë e bleu grupi Kastrati, i cili, sipas marrëveshjes do të duhet të realizojë 100 milionë euro investime, aq sa në fakt kushton tërësisht i ri aeroporti i Vlorës, i cili do të jetë edhe më i madh e madje edhe me terminal mallrash.
Por nëse investimet parashikojnë vetëm retushime apo sajime të terminalit ekzistues, si do të shpenzohet kjo shumë?
Nuk është e qartë nëse është në dijeni të kësaj sajese qeveria, në veçanti Ministria e Infrastrukturës, e Belinda Ballukut, ai autoritet kontraktues apo nëse ata do të reagojnë pas vënies në dijeni përmes mediave, për të kërkuar respektimin rigoroz të kontratës të votuar në parlamentin shqiptar, për t’i dhënë Shqipërisë një aerport ndërkombëtar modern./Zoom.al