Aplikacion
Qendra Kombëtare e Biznesit detyroi shoqërinë “Air Albania” të deklaronte pronarët realë, duke i pezulluar aktivitetin për rreth 10 ditë në fillim të shtatorit.
Ndërsa për kompaninë guaskë që thotë se do të ndërtojë Portin e Jahteve në Durrës, nuk është marrë asnjë masë për publikimin e pronarëve të vërtetë, ose të atyre që rezultojnë në letra.
Në qershor të vitit 2021, pranë QKR-së u regjistrua shoqëria “Symphony Real Estate”, me pronar një kompani në ishujt Kajman, “Symphony Invest Limited”. Kjo e fundit nga ana e saj ishte në pronësi të “Eastern RE Fund LP”.
Skema e kompanive gjyshe-nëna-bijë është tipike për kompanitë guaskë, nëpërmjet të cilave fshihen pronarët realë të tyre.
Kompania “Symphony Invest Limited” shpk fitoi statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e Portit të Jahteve në Durrës, nëpërmjet një procedure të debatuar e të udhëhequr nga Edi Rama.
Prej vitit 2020, kompanitë duhet të deklarojnë pronarët që kanë 25 përqind të aksioneve të tyre. Kompania guaskë deklaroi emrat e 4 shtetasve nga Lindja e Mesme, pa dhënë asnjë sqarim se cilin entitet pronar përfaqësonin ata dhe sa ishte përqindja e pronësisë së tyre. Në dhjetor 2021, shoqëria mëmë zyrtarizon shitjen e kompanisë së saj në Shqipëri tek një guaskë tjetër, “North East Real Estate Holding Limited”, me seli në Dubai. Sipas ligjit të pronarëve përfitues, kompania, që tani ka emrin “Eagle Hills Real Estate”, duhej të deklaronte pronarët e rinj brenda 6 muajve.
Ky afat tashmë është tejkaluar, ndërkohë që pronarët përfitues të “Eagle Hills” janë ende mister dhe nga Qendra Kombëtare e Biznesit nuk është marrë asnjë masë. Për ta komplikuar më tej situatën, QKR nuk ka azhornuar as të dhënat bazë të kompanisë guaskë. Në regjistrimin e bizneseve, tashmë figuron “Eagle Hills Real Estate”. Ndërsa, në regjistrin e pronarëve përfitues, me të njëjtin numër identifikues NIPT-i ekziston ende ‘Symphony Invest Limited”, duke krijuar një kakofoni të qëllimshme mbi guaskën strategjike./syri.tv/
Këmbimi valutor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera