zoom

In Zoom

SKANDALI/ Rektori i UBT, Fatbardh Sallaku, vendos t’i japë llogari partisë, jo drejtësisë. Një rikthim në hijet e diktaturës

Në një akt të paprecedentë dhe skandaloz, Rektori i UBT (Universitetit Bujqësor të Tiranës), Fatbardh Sallaku, ka zgjedhur të japë llogari përpara Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste lidhur me një hetim të SPAK mbi abuzimet me tenderat në universitetin që ai drejton. Njoftimi u bë nga kryeministri Edi Rama në platformën X.

“Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë! Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë2030” – shkruan kryeministri Rama.

LEXO: SPAK 24 masa sigurie ndaj stafit dhe pedagogëve të Bujqësorit, Rama: Pa gyq! Rektori flet për një keqkuptim të madh

Ky vendim i rektorit të UBT dhe pranimi i kërkesës së tij nga grupi më i madh parlamentar në Shqipëri, nuk është vetëm një goditje ndaj autonomisë universitare, por një rikthim i hapur në kohën e diktaturës, kur institucionet akademike nuk ishin të pavarura, por jepnin llogari para partisë së vetme në pushtet.

Në çdo vend normal demokratik, një rektor i një universiteti publik nuk ka asnjë arsye të kërkojë të dëgjohet nga një parti politike për një çështje që është nën hetim nga drejtësia. Por në Shqipëri, ku Partia Socialiste ka ndërtuar një regjim të centralizuar që kontrollon çdo aspekt të jetës publike, ky skenar bëhet i mundur dhe madje i pritshëm. Me gjasë, kryeministri Rama, me pranimin e kësaj kërkese, kërkon të legjitimojë gjithë morinë e sulmeve ndaj SPAK që pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Një dëgjesë publike në grupin parlamentar, socialistët e bënë edhe për kryetaren e Komisionit të Ligjeve, deputeten socialiste Klotilda Bushka, e cila po hetohet nga SPAK për çështjen Veliaj. Por ndërsa rasti i Bushkës përbën një çështje të brendshme të Partisë Socialiste, rasti i rektorit të Unviersitetit Bujqëesor të Tiranës është i paprecedent.

Në vend që të dalë përpara drejtësisë dhe të japë sqarime ligjore, ose të mbajë një konferencë publike për të informuar qytetarët, Sallaku zgjedh të japë llogari para partisë në pushtet, ashtu siç bënin drejtuesit e institucioneve gjatë diktaturës komuniste.

Pyetja është: Për çfarë duhet t’i japë llogari PS-së? Çfarë mirëkuptimi kërkon ai nga një parti politike dhe nga drejtuesi i saj që qeveris vendin? A mos vallë universitetet funksionojnë si degë të Partisë Socialiste, ku çdo vendimmarrje duhet të kalojë më parë nga “eprorët” politikë? A e di rektori i Universitetit të Tiranës që ai është zgjedhur me vota në atë detyrë dhe nuk është emëruar nga Partia Socialiste apo nga grupi i saj parlamentar?

Gjyqi politik i SPAK nga mazhoranca

Por po kaq skandaloz sa veprimi i rektorit është fakti që PS e ka kthyer Grupin Parlamentar në një gjykatë politike, që shqyrton dhe gjykon hetime të nisura nga SPAK. Ajo e pati bërë këtë edhe kur refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit për arrestimin e ish -ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili më vonë u dënua. Kjo nuk është vetëm një ndërhyrje e pastër në drejtësi, por edhe një mesazh i qartë për institucionet e pavarura.

Mesazhi që po jep Edi Rama dhe Partia Socialiste është i qartë: Në këtë vend, drejtësia nuk është e pavarur dhe cdo hetim duhet të kalojë më parë nga vlerësimi politik i Partisë Socialiste.

Nëse një universitet është realisht i pavarur, nëse drejtësia është realisht e lirë, asnjë parti politike nuk ka të drejtë të ndërhyjë në një proces hetimor dhe të zhvillojë dëgjesa që ngjajnë me gjyqe politike.

Në vend që të presë rezultatet e hetimeve, Partia Socialiste dhe kryetari i saj po bëhen palë në një proces gjyqësor. “Pa gjyq” thotë kryeministri Rama u dhanë 24 masa sigurie. Nëse SPAK ka shkelur ligjin këtë nuk mund ta përcaktojë një parti politike, por institucionet e drejtësisë, pasi një vendim i tillë ka mundësinë të kalojë në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Është e dukshme që Partia Socialiste po shfrytëzon çdo rast për t’i bërë gjyqe politike SPAKU -t, i cili, me arrestimin e Veliajt dhe daljen në terren për të luftuar krimin zgjedhor, duke se ka shkelur vijën e kuqe të pushtetit.

Me këto gjyqe politike, Edi Rama dhe Partia Socialiste po i sugjerojnë opinionit publik kush është fajtor dhe kush është i pafajshëm, para se drejtësia, për të cilën ka votuar i gjithë grupi parlamentar i PS, të japë verdiktin e saj. Kjo është një goditje e rëndë ndaj shtetit të së drejtës, që tregon edhe njëherë se drejtësia për këtë qeveri është vetëm një instrument për ta përdorur kur u leverdis.

Rektori i UBT, shembull i nënshtrimit dhe goditja në themel e Autonomisë Universitare

Në këtë situatë, një tjeër pyetje kërkon përgjigje: Sa e besueshme është më autonomia universitare në Shqipëri, kur një rektor shkon të japë llogari përpara një partie politike?

Universitetet në mbarë botën janë të pavarura nga politika. Edhe në Shqipëri ligji kështu thotë. Por duket se Rektorati i UBT është një zgjatim i selisë rozë dhe se vendimet akademike mund të varen nga “gjykimet” e PS-së në pushtet.

Rektori i UBT po krijon pikërisht këtë precedent, i cili është më i rrezikshëm se vetë hetimi për korrupsion në UBT. Sepse sot është ky universitet që gjykohet nga PS, nesër mund të jetë çdo institucion tjetër që do të duhet të kalojë më parë “provimin” e partisë në pushtet. Dhe kështu, shteti i së drejtës shndërrohet në shtet partie, si në kohën e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.

Nëse Partia Socialiste kërkon transparencë për këtë çështje, duhet të lejojë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe jo të organizojë “seanca dëgjimore” të paragjykuara, të cilat nuk kanë asnjë vlerë ligjore, por synojnë vetëm e vetëm të manipulojnë opinionin publik dhe të godasin një institucion drejtësie si SPAK, i cili është vënë nën breshërinë e rektorikës së Edi Ramës prej ditës së arrestimit të Erion Veliajt.

Nëse rektori i UBT-së ka argumente për të dhënë, ai duhet të shkojë në SPAK dhe të japë shpjegime para prokurorëve, jo para deputetëve të PS-së. Përndryshe, ky nuk është vetëm një skandal i autonomisë universitare, por edhe një turp që ai i vesh një unviersiteti të tërë, pasi me këtë akt, rektori UBT po tregon  se partia është mbi ligjin. /Zoom.al

Postime të lidhura