zoom

Aktualitet

Skandali në kopshtin privat/ Bashkëshorti i edukatores kërcënon babanë e fëmijës

Ndërsa edukatorja Rudina Gërdani vijon të jetë në arrati pasi dhunoi një 3-vjeçar në kopshtin ku punonte, policia ka nisur hetimet edhe për bashkëshortin e saj.

63-vjeçari akuzohet nga policia se ka kërcënuar përmes telefonit babain e 3-vjeçarit të dhunuar.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 proceduan në gjendje të lirë shtetasin I. G., 63 vjeç (bashkëshorti i shtetases R. G, e shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në kopshtin ku punonte si edukatore). Procedimi nisi pasi dyshohet se nëpërmjet telefonit ky shtetas ka kanosur shtetasin L. Rr (babai i të miturit)”, njoftoi policia.

Një ditë më parë, babai i 3-vjeçarit të dhunuar rrëfeu se familjarët e edukatores e kanë kërcënuar, që të tërhiqet nga denoncimi.

“Unë nuk trembem nga njerëzit e Rudinës. Unë jam gjithë ditën nga ora 6 e mëngjesit në 6 pasdite në Tiranë. Mua më gjeni ku të doni. Unë nuk trembem. Më kanë bërë presion duke më marrë edhe nga shtete europiane. Më marrin edhe miq të mitë. U kam thënë të mos më marrin më për këtë. Ata duan të mos e vazhdoj më historinë e Priamit, por unë gjakun e fëmijës tim nuk e shes. Jam shumë… nuk e fal unë gjakun e fëmijës tim, nuk e fal atë shpullë”, deklaroi Lorenc Rrapa.

Postime të lidhura