Aplikacion
KLSH konstaton se të dhënat e sistemit e-Taxation dhe sistemit të Fiskalizimit, të dyja digjitale, nuk janë regjistruar si baza të të dhënave shtetërore dhe se kjo është në kundërshtim me ligjin. Në të njëjtin dokument sqarohet se DPT nuk zotëron me të drejta të plota këto të dhëna, ndonëse ka përgjegjësi për to. Siguria e tyre vlerësohet në rrezik.
Të dyja sistemet janë të ndërlidhura, pasi Fiskalizimi nuk mund të operojë pa të dhënat e e-tax dhe sipas auditit, ka cënuar të gjithë procesin.
KLSH po ashtu thekson se pajisjet fizike të sistemit e-Taxation janë në një situatë tejet kritike. Ky sistem është shumë i rëndësishëm për DPT-n, nisur nga veprimet operacionale që kryhen aty si nga ana e biznesit, administratës tatimore ashtu dhe nga institucionet e tjera me të cilat janë ndërtuar ndërveprime me të dhëna të këtij sistemi. Ky konstatim bazohet në të dhënat mbi hapësirën e lirë në servera dhe në storage e cila paraqitet rreth masës 90%, pra pothuajse në ezaurim.
“Megjithëse gjatë auditimit në terren u hap procedura për mirëmbajtjen e sistemit e-Taxation, ne vlerësojmë se ndërprerja nuk do të mund të sigurohet, për arsye se sistemet informatike nuk mund të jenë funksional nëse pajisjet janë në ezaurim të hapësirës së tyre dhe funksionojnë në limitet e ciklit jetësor dhe me sisteme operimi jashtë suportit teknik që do të thotë i pasigurt. Risku për ndërprerjen dhe pamundësia për ta vënë në funksion në një kohë të shkurtër sistemin e-Taxation është shumë e lartë” shkruan Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Hapat e ndërmarrë ndërmjet DPT-s dhe AKSHI-t për rinovimin e pajisjeve fizike ku qëndron sistemi e-Taxation janë në nivel diskutimi dhe akoma nuk është arritur në një vendimmarrje. DPT ka planifikuar një fond për të cilin AKSHI shprehet se nuk është i mjaftueshëm, por në kushtet kur DPT nuk i disponon më asetet rrjedhimisht planifikimi i fondeve për rinovim duhet të plotësohet nga administratori dhe poseduesi i këtyre aseteve që është AKSHI.