Aplikacion
Zoom.al pasqyroi për disa ditë me radhë shqetësimet e shumë pushuesve të huaj e vendas për zhurmën e padurueshme që dilte pas mensatës nga bokset e mëdhenj të lokalit “Moyo” në plazhin e Drimadhes, i cili gjendet në mes të një zone rezidenciale dhe disa hoteleve luksoze.
Pushuesit thanë se “Moyo” bën muzikë gjatë gjithë natës dhe se policia nuk i merr në konsideratë denoncimet e tyre. Zoom.al pyeti në Polici, në Ministrinë e Brendshme, atë të Turizmit dhe në Bashkinë e Himarës se si është e mundur që ligji shkelet kaq hapur dhe askush nuk ndërhyn. Kanë kaluar mbi 2 javë dhe nga asnjë institucion nuk ka përgjigje.
Por përgjigjja duket se erdhi nga vetë kryeministri Rama. Si për të treguar fuqinë që ka në këtë vend, ku mund të vendosë gjithçka për gjithkënd, kryeministri postoi një video të klubit të natës “Moyo” ku lajmëronte se aty do të mbahej një festival i muzikës elektronike.
Nuk ka përgjigjje më të mirë për të treguar se sa vlejnë shqetësimet e njerëzve të thjeshtë kur ato prekin interesa të njerëzve me pushtet.
Me postimin e tij kryeministri u tregoi edhe institucioneve të tjera se “Moyo” është i paprekshëm. Kush polic apo inspektor mjedisi do guxonte t’i shkonte më “Moyo-s” në derë për t’i kërkuar të ulte muzikën?
Kreu i qeverisë e bëri të qartë jo vetëm këtë, por edhe faktin se ekskluzivitetin për të vendosur se kush do të bëjë muzikë pas mesnate e ka ai, pavarësisht se çfarë thonë ligjet dhe vendimet që ai vetë ka marrë në qeveri.
Siç ka raportuar më parë Zoom.al, disa nga pronarët e lokaleve në plazhin e Drimadhes dhe Dhërmiut, dyshojnë se kryeministri Rama mund të jetë pronar i fshehur i këtij lokali dhe se personat që e kanë atë në pronësi shërbejnë thjesht për të mbuluar atë. Zoom.al nuk ka mundur deri tani t’i faktojë këto pretendime.
Megjithatë, fakt është se “Moyo” do të zhurmojë plazhin e Drimadhesit me “leje” të kryeministrit, i cili vendosi ta promovojë hapur personalisht aktivitetin e zhurmshëm që do të mbahet në fundjavë, duke shpërfillur shqetësimin e turistëve që kanë zgjedhur të pushojnë në këtë bregdet apo të banorëve të zonës rezidenciale ngjitur me “Moyo-n” e preferuar të kryeministrit, të cilët, në vend që të pushojnë në fundjavë, marrin plaçkat e largohen se zhurma është e padurushme, sidomos për fëmijët.
Por teksa kryeministri sfidon këto dhe shpërfill çdo shqetësim që nuk i shkon përshtat, fakt është që edhe opozita shqiptare hesht. Edhe pse është dukshëm e qartë se kryeministri po favorizon një biznes në dëm të të gjithë të tjerëve në plazhet e jugut, asnjë opozitar nuk flet apo nuk i drejtohet SPAK për të kërkuar të hetojë, pasi shkelja e ligjit në këtë rast përfshin zyrtarë të lartë. Edhe vetë SPAK mund t’i kishte nisur kryesisht hetimet, si një provë se askush nuk mund të dalë mbi ligjin.
Në këtë rast, kryeministri e ka angazhimin e drejpërdrejtë. Ai jo vetëm po përpiqet të dërgojë klientë në “lokalin e tij”, por edhe po dikton se kush mund të bëjë e kush mund të mos bëjë biznes e muzikë edhe kur ligji e ndalon. “Moyo” është provë flagrante e kësaj qasje ku në emër të interesave shkeljen ligjet e shpërfillen qytetarët. /Zoom.al