Aplikacion
Zv/kryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka ndërmarrë një nismë të re ligjore, duke nxjerrë për konsultim një draft, ku sugjerohet që çdo leje për investime strategjike, ose në zonën bregdetare dhe ujore, të bëhet në mënyrë të përshpejtuar.
Ky draft, nëse kthehet në ligj, favorizon dukshëm biznesmenët më afër pushtetit, që përfitojnë nga projektet e tyre të zhvillimit për të ardhmen, duke kapur edhe territoret e pashkelura më parë, apo që cilësohen si me vlera kulturore, ushtarake apo historike në vendin tonë. Si rasti i bazës detare të Sarandës “Marina Limon”, që tashmë po hetohet si koncesion nga SPAK.
Një tjetër propozim është që edhe KKT të bëhet në KKTU, duke i shtuar institucionit edhe një drejtori tjetër apo sektor, si ai i Ujërave, që përfshin zonën bregdetare, qëllimi i mësipërm i draftit dhe ato ujore si liqenet, lumenjtë etj. Pra ministrja Balluku shton kompetencat dhe madje merr ekskluzivitetin për të lëshuar leje ndërtimi të përshpejtuara nëpërmjet sektorit të ri.
Çfarë thuhet në draft:
“Në projektligj propozohet vendosja e procedurës së përshpejtuar për shqyrtimit të aplikimeve, si dhe rastet kur mund të aplikohet kjo procedurë në praktikë, e cila në përputhje edhe me rregullat e detajuara në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, mund të zbatohet për: a) Investime strategjike; b) Zhvillime komplekse brenda Brezit Bregdetar”.
Shtohen edhe kompetencat e KKT
Një tjetër zhvillim ligjor dhe administrativ ka qenë edhe shtimi i kompetencave të Këshillit Kombëtar të Territorit, KKT, që tashmë përveç miratimit, do ketë edhe të drejta për të vlerësuar risqet, rëndësinë dhe mbi të gjitha mund të ndryshojë kufijte e zonave natyrore të mbrojtura. Lexoni si më poshtë:
-Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit vendos për:
a) miratimin, miratimin me ndryshime ose shtyrjen për shqyrtim të mëvonshëm të dokumenteve të planifikimit, kërkuar për miratim nga autoritetet e planifikimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
b) miratimin e dokumenteve të planifikimit sektorial, të përcaktuara me legjislacion të posaçëm, dhe që kanë efekte në territor;
c) përcaktimin e rëndësisë kombëtare të një çështjeje, zone ose objekti në planifikimin e territorit, dhe miratimin e planeve te detajuara për zona të rëndësisë kombëtare, kur parashikohen të tilla nga Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit dhe dokumente te tjera planifikimi në fuqi.
d) miratimin e planeve dhe projekteve ndërrajonale dhe kombëtare në fushën e furnizimit me ujë, bujqësisë, urbanistikës, zhvillimit industrial dhe të territorit, kur ato lidhen me ruajtjen dhe menaxhimin e burimeve ujore, sipas legjislacionit të posacëm për menaxhimin e burimeve ujore;
e) marrjen e masave të duhura për zbatimin e marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare për burimet ujore, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë, sipas legjislacionit të posacëm për menaxhimin e burimeve ujore;
f) vendos kufizime për përdorimin e zonave të përmbytura ose të zonave që janë nën efektin e dëmshëm të ujit;
g) përcakton dhe ndryshon regjimin e zonave të mbrojtura të shpallura në rastet e pashmangshme dhe kufijtë e tyre;
h) shpall zonat vulnerabël në përputhje me parashikimet në legjislacionin për menaxhimin e burimeve ujore;
i) miraton vlerësimin paraprak të riskut nga përmbytjet;
j) miraton hartat e riskut nga përmbytjet dhe hartat e rrezikut nga përmbytjet.
k) miraton akte rregullatore të përkohshme, për zona të caktuara apo në të gjithë territorin, rregullat dhe kriteret mbi ndalimin apo lejimin e shfrytëzimit të burimeve ujore, shkarkimeve apo aktiviteteve të tjera të cilat kanë ndikim të drejtpërdejtë në burimet ujore;
/ZOOM.AL/
DETAJE TË REJA nga ngjarja në Astir/ Identifikohet i dashuri i vajzës, u kap nga kamerat