zoom

In Zoom

Skandal! Administrata, e detyruar të regjistrojë emigrantë për votën e 11 majit në favor të PS

Një tjetër akt i paligjshëm, një skandal, në funksion të fushatës elektorale të Edi Ramës.

Nga Zoom.al

Punonjësve të administratës publike në Shqipëri po u kërkohet nga eprorët e tyre që të sigurojnë të paktën dy emigrantë të regjistruar për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, në favor të Partisë Socialiste në pushtet.

Burime konfidenciale të Zoom.al konfirmojnë se kjo u është komunikuar në formë urdhëri punonjësve të administratës nëpërmjet grupeve të Ëhatsapp apo nëpër mbledhje e takime.
Urdhrat vijnë nga drejtuesit e institucioneve shtetërore, të cilët veprojnë nën diktatin e qeverisë.
Për drejtorët, numri i regjistrimeve është i lartë dhe shkon deri në 10 apo 20, sipas pozicioneve që kanë. Të gjithëve u kërkohet që të kontaktojnë të afërm dhe të njohur dhe t’u kërkojnë të deklarojnë votën për Partinë Socialiste.
“Punonjësit që nuk binden, rrezikojnë vendin e punës” – thanë burimet për Zoom.al. “Mund të përballen edhe me forma të ndryshme presioni”.

Kjo formë presioni politik ndaj punonjësve të administratës përbën një skandal të përmasave të mëdha që minon edhe më tej standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.

Detyrimi i punonjësve të administratës shtetërore për t’u përfshirë në fushata elektorale dhe për të mbledhur vota është një akt i paligjshëm dhe i dënueshëm, që bie ndesh me parimin e depolitizimit të administratës publike.
Ky mekanizëm manipulimi e shndërron edhe njëherë administratën në një vegël elektorale të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.

Administrata, një vegël elektorale e Ramës

Shndërrimi i administratës në një mekanizëm politik për të siguruar vota për Partinë Socialiste nuk është rast i izoluar.

Edi Rama, siç kanë treguar edhe raportet e OSBE/ODIHR, e ka përdorur sistematikisht shtetin si një makinë elektorale, duke ushtruar presion mbi punonjësit për të angazhuar familjarët dhe kontaktet e tyre në favor të PS-së.

“Ofrimi i stimujve dhe një presion i pretenduar mbi nëpunësit civilë, mbetet një problem”,- deklaronte koordinatori special i OSBE/ODIHR Azay Guliyev në zgjedhejt e vititi 2021.

Në atë fushatë elektorale (2021), Edi Rama u bënte thirrje publikisht edhe punonjësve të Policisë së Shtetit që, pas orarit zyrtar, të “hiqnin kapelet” dhe të dilnin në terren për të bërë fushatë për Partinë Socialiste. Kjo deklaratë, që në një vend normal do të përbënte një skandal të përmasave të mëdha, u trajtua si një akt normal nga propaganda qeveritare dhe institucionet e kapura nga pushteti. Policia e Shtetit është e depolitizuar dhe ajo nuk mund të përfshihet në asnjë fushatë elektorale, në asnjë rast, përveçse për të garantuar mbarëvatjen e procesit zgjedhor, kur është e nevojshme.

Kush do ta ndalë këtë skandal, SPAK, KQZ, Opozita apo Organizatat që monitorjnë zgjedhjet?

Edhe pse ky skenar, që përbën një tjetër provë e shndërrimit të shtetit në një instrument elektoral të Partisë Socialiste, ka nisur të zbatohet hapur, institucionet që duhet të garantojnë një proces të ndershëm elektoral dhe opozita, heshtin.

Me këtë model, zgjedhjet në Shqipëri nuk mund të jenë më një garë e ndershme, por një proces i manipuluar nga pushteti, ku administrata publike përdoret si mjet për të deformuar vullnetin e qytetarëve.

Edi Rama është akuzuar vazhdimisht se, gjatë gjithë kohës që ka qenë në pushtet, nuk ka pranuar të bëjë gara të ndershme elektorale. Në zgjedhjet e fundit ai i hoqi Partisë Demokratike logon, financimet dhe çdo të drejtë tjetër të garantuar nga ligji për të garuar e barabartë.

Ajo që bën përshtypje është se përballë kësaj skeme flagrante manipulimi, institucionet, opozita dhe organizatat që marrin miliona për të monitoruar procesin zgjedhor vazhdojnë të sillen po njësoj sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
SPAK është mjaftuar me ngritjen e një Task – Force në për rrethe për të parë veprimet në terren, por duket se ajo është fokusuar më së shumti te blerja e votës, një fenomen me të cilin Shqipëria është përballur në çdo palë zgjedhjeje. E qartë për këtë, Partia Socialiste në pushtet duket se ka ndryshuar strategji dhe ky ndryshim me gjasë e ka kapur në flagrancë SPAK.

Prokuroritë e Rretheve po ashtu duken të pafuqishme dhe të painteresuara. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, i cili drejtohet nga një ish -ministër i Ramës, po merret me kartat e identitetit dhe me kërkesa drejtuar Kuvendit për rritje të financimeve. Përdorimi i Administratës në fushatë duket se është jashtë fokusit të saj.

Organizatat që monitorojnë procesin zgjedhor po ashtu duken në gjumë. Sigurimi i fondeve duket se mbetet prioritet edhe në këto zgjedhje, për të prodhuar raporte që secila palë i lexon sipas dëshirës.

Opozita po ashtu duket e vënë në gjumë. Ajo merret me denoncime rastesh periferike dhe nuk duket e aftë për të kapur në kohë skemën e re e cila rrezikon të manipulojë edhe këto zgjedhje.

Në një vend me demokraci reale e funksionale, një skandal i tillë do të çonte në hetime të menjëhershme, në pezullime drejtuesish dhe ndjekje penale për ata që japin të tillë urdhëra apo ata që i zbatojnë ato. Në Shqipërinë e Edi Ramës, ku shteti është i kapur nga partia në pushtet në çdo degë të tij dhe zgjedhjet kontrollohen në çdo formë nga pushteti, shanset që ky skandal të marrë përgjigjen që duhet janë minimale në mos zero.

Zoom.al do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje dhe të denoncojë çdo shkelje ligjore që synon manipulimin e zgjedhjeve, me shpresën se edhe institucionet e opozita do të zgjohen nga gjumi sa s’është vonë. /Zoom.al

Postime të lidhura