zoom

Lajme

Silvinjo rrëfen Shqipërinë para Evropianit të Gjermanisë: Shpirt sakrifice, mentalitet dhe…

Numri një i pankinës së Shqipërisë, tekniku brazilian Sylvinho, ka folur për përfaqësuesen kuqezi dhe grupin e Europianit, aty ku do përballemi me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.

“Ata janë skuadra shumë të forta, të mësuara që të jenë favorite, të përgatitura që të shkojnë në finale dhe të fitojnë. Forca jonë nuk është një lojtar apo dy, forca jonë është skuadra. Shqipëria është një shtet i ri i cili po merr pjesë për herë të dytë në një turne kaq të rëndësishëm. Kemi zemër, shpirt dhe ndjenjën e sakrificës. Ne kemi punuar shumë që të kemi këtë mentalitet në fushë. Kemi bërë një punë shumë të mirë bashkë, por na pret një sfidë e madhe”, tha trajneri brazilian i kuqezinjve.

Ai më pas u ndal mbi faktin se sa e kishte ndihmuar puna e përditshme duke jetuar në Shqipëri bashkë me stafin.

“Ne jemi stafi i parë teknik që e bëjmë një gjë të tillë dhe ka bërë diferencën. Lojtarët të shohin dhe thonë ‘ti ke familje, një grua, fëmijë, por ti nuk po jeton me ta, ti jeton në Tiranë’. Njerëzit më telefonojnë dhe më pyesin “Ku je?”, u përgjigjem “në Tiranë”.

Kur ne e bëjmë një punë, ne e bëjmë mirë, ky është mesazhi që u përçojmë. Kjo është mënyra se si e shoh unë. Më duhet të jem këtu, të punoj nga këtu. Dikush thotë “ai është i huaj por jeton këtu, ai është që tani shqiptar’. Dhe unë jam një shtetas shqiptar”, theksoi SIlvinjo i cili më pas tregoi se çfarë e kishte ndihmuar të përçonte te lojtarët jeta në Shqipëri.

“Besnikëri, respekt për njerëzit… të shkojmë në fushë dhe të përfaqësojmë vendin pa kursyer forcën”, ishin fjalët e teknikut. “Unë u them gjithmonë lojtarëve që nëse unë nuk fle pasi ka një problem, që duhet të bëjmë skuadrën të punojë si grup, atëherë edhe ju nuk duhet të flini, duhet të punoni më shumë. Çdo gjë mund të ndodhë në futboll. E rëndësishmja është t’i tregojmë njerëzve, publikut, që ne luftojmë shumë. Unë nuk di të bëj gjërat përgjysmë. Ose përfshihem plotësisht, ose nuk e bëj një gjë”. /ZOOM.AL/