zoom

Aktualitet

Siguroi kushtet për vrasjen e Indrit Dokles, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Elvin Merlikës

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar konfiskimin e pasurive të Elvin Merlikës, i dyshuar se ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Indrit Dokle.

SPAK informon se pas përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta.

Ndaj kërkoi konfiskimin e 20 pronave ku përfshihen biznese, apartamente dhe automjete.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, më 21.01.2025 kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara në kuadër të procedimit pasuror nr.2 të vitit 2022.

Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin e mësipërm, për hetimin pasuror të shtetasit Elvin Merlika, i dyshuar për veprën penale të: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1, 334 të Kodit Penal si dhe personave të lidhur me të.

Mbi bazën e dispozitave të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë identifikuar dhe sekuestruar* pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me ta.

Në përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta.

Pasuritë e sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskimi janë:

  1. 100% të kuotave të shoqërisë “Zeus Garden” sh.p.k.
  2. 49% të kuotave të shoqërisë “M.S.G Security” sh.p.k.
  3. 100% të kuotave të shoqërisë “London Eye” sh.p.k.
  4. Pasuri e paluajtshme e llojit arë, me sipërfaqe 3250 m2, me adresë Fushë-Kuqe Kurbin.
  5. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament 14/5, kati i 6, me sipërfaqe 108 m2, në zonën e Kasharit.
  6. Pasuri e paluajtshme e llojit truall me sip. 6026 m2, ZK.3051, me adresë Priskë Tiranë.
  7. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sip. 105 m2, me adresë Yzberisht.
  8. Pasuri e paluajtshme e llojit arë më numër, me sipërfaqe 3250 m2, me adresë Fushë-Kuqe Kurbin.
  9. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament më numër, me sipërfaqe 38.85 m2, me adresë Yzberisht Tiranë.
  10. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sip. 81.24 m2, në posedim nga shoqëria “………..” sh.p.k.
  11. Pasuri e paluajtshme e llojit garazh, me sip. 50.82 m2, në posedim nga shoqëria “………..”,.
  12. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sip. 89 m2, me adresë Tiranë.
  13. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sip. 35.09 m2, me adresë Tiranë.
  14. Pasuri e paluajtshme e llojit bodrum, me sip. 9 m2, me adresë Bulevardi “Bajram Curri” Tiranë.
  15. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sip.30.2 m2, me adresë Rruga “Karl Gega.
  16. Pasuri e paluajtshme e llojit garazh, kati i parë nëntokë në objektin e shoqërisë “Xh……” sh.p.k.
  17. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sip. 105 m2, me adresë Yzberisht.
  18. Pasuri e paluajtshme e llojit arë, me sipërfaqe 3250 m2, me adresë Fushë-Kuqe Kurbin.
  19. Pasuri e paluajtshme e llojit pyll me sip. 6026 m2, me adresë Priskë e Madhe, Tiranë, në vendin e quajtur (Fusha e Bukur).
  20. 9 (nëntë) automjete të markave të ndryshme.
  21. Kush është Indrit Dokle

    Indrit Dokle u shpall në kërkim nga SPAK në maj të vitit 2024 kur u goditën 4 grupe kriminale. Në vitin 2022, Indrit Dokle u mor në pyetje nga policia pas dyshimeve të familjarëve të shumëkërkuarit Ervis Martinaj në lidhje me zhdukjen e djalit të tyre.

    Kjo pasi emri i Martinajt u nxor nga i penduari i Drejtësisë Nuredin Dumani i cili tha se kishte marrë një porosi nga “Mbreti” i lojërave të fatit për eliminuar Doklen kundrejt një pagese prej 500 mijë eurosh.

    Dokle mohoi të ketë gisht në zhdukjen e Martinajt i cili rezulton i zhdukur prej datës 10 Gusht 2022. Ai ka qenë më parë i dënuar me burgim të përjetshëm për një seri vrasjesh të kryera në kuadër të bandës së Durrësit.

    Gjatë kohës që ndodhej në qeli, Dokle mori një tjetër dënim, për trafik droge, pasi u provua se drejtonte nga qelia një grup të strukturuar kriminal. Ndërkohë ai është liruar dy vite më parë.

    Indrit Dokle, ish- anëtar i “Bandës së Durrësit”, ka qene i akuzuar së bashku me 16 persona të tjerë, si pjesë e bandës famëkeqe, ku disa prej tyre janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore.

    Ai ka drejtuar një prej fraksioneve të bandës dhe me Lulzim Berishën, njeriun që sipas Prokurorisë e krijoi atë, pati një armiqësi të hapur për vite me radhë, madje tentoi edhe ekzekutimin e tij. E ashtuquajtura “banda kriminale”, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit.

Related Posts