zoom

Aktualitet

Si vdiq punëtori në Shëngjin, u shkëput vinçi. 3 persona në kërkim, ndërtimi pa leje e pa sigurime

Hetimet për ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e djeshëm në Shëngjin ka nxjerrë në dritë detaje të reja. Nga aksidenti në punë ku humbi jetën punëtori 28-vjeçar.

Sipas burimeve policore, viktima Emiljano Frroku ka qenë duke ngjitur vinçin dhe ai është shkëputur duke rënë poshtë bashkë me të.

Objekti ishte pallat në ndërtim, por sipas burimeve kati i 9 dhe i 10 po ndërtoheshin pa leje. Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim 3 persona, drejtues të firmës dhe teknikë të punimeve, ndërsa vijojnë hetimet. Ppersonat e shpallur kërkim janë; Leon Ndici, Martin Biba dhe Loren Haxhia.

Në hetim janë përfshirë  dhe Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Lezhë dhe Policia vendore, për të vlerësuar mosveprimin e tyre dhe shpërdorimin e detyrës.

Sipas Inspektoriatit të Punes, viktima rezulton se ishte i pasiguruar dhe punonin në të zezë, duke shtuar një tjetër akuzë ndaj ndërtuesit të objektit.

Njoftimi zyrtar:

“Në vijim të informacionit paraprak, të dhënë mëngjesin e djeshëm, për shtetasin E. F., 28 vjeç, i cili humbi jetën dyshohet si pasojë e rënies aksidentale, nga lartësia e pallatit ku po punonte, në Shëngjin, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë shpallën në kërkim, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:

-L.N., 51 vjeç, banues në Tiranë, administrator i firmës për ndërtimin e pallatit;

-M.B., 51 vjeç, banues në Tiranë, sipërmarrës i punimeve;

-L.H., 32 vjeç, banues në Tiranë, drejtues teknik i firmës së ndërtimit.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas i kryenin ndërtimet në pallat, të papajisur me dokumentacionin e duhur. Gjithashtu, dyshohet se nuk kishin marrë masat për sigurimin e rregullave të mbrojtjes në punë, dhe si pasojë ka rënë aksidentalisht, nga lartësia e pallatit, gjatë procesit të punës, shtetasi E. F.. Më tej, në vijim të veprimeve procedurale për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Punësimi i paligjshëm”, për shtetasin H. H., 44 vjeç, banues në Lezhë, punëtor i firmës së ndërtimit.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”. /ZOOM.AL/