zoom

Politikë

Si po përpiqet Lulzim Basha të marrë drejtimin e Partisë Demokratike

Të provosh të hysh në faqen e internetit të Partisë Demokratike, pd.al, e cila është faqja zyrtare e asaj që njihet si PD-ja e vulës, është e pamundur.

Prej disa ditësh ajo është jashtë funksionit. Në dukje ngjan me një problem të parëndësishëm teknik për një faqe thuajse të parëndësishme.

Pd.al nuk është ndonjë adresë e klikuar apo e përditësuar me informacione. Por brenda saj gjendet përbërja e të gjitha strukturave drejtuese të partisë; Kryetar, Nënkryetarë, Kryesi, Këshill Kombëtar, Grup Parlamentar, Statut etj.

Njëra prej këtyre strukturave, Kryesia, pritet vihet këto ditë në qendër të vëmendjes. Në kohën kur PD-së së vulës i mungon kryetari, vendimmarrja për çështjet e rëndësishme i kalon asaj.

Po të pyesësh në PD-në zyrtare se cilët janë antarët e Kryesisë, askush nuk di të japë përgjigje dhe të gjithë të adresojnë në faqen zyrtare të internetit. Në pamje të parë, në një parti të çorganizuar në themel, të dalë nga zgjedhjet e 14 majit me një disfatë historike, mungesa e listës së antarëve të Kryesisë duhet të jetë meraku i fundit për këdo që aderon në këtë grupim apo për publikun.

Por përbërja e Kryesisë do të jetë shumë shpejt çështje e debatesh, pasi kjo strukturë mbetet mekanizmi i vetëm i Lulzim Bashës për të marrë edhe njëherë drejtimin e grupimit që mban vulën e PD-së.

Në një kohë kur partia nuk ka kryetar dhe kur nënkryetarja e vetme, Jorida Tabaku, ka refuzuar ftesën e Gazmend Bardhit për ta ushtruar detyrën e kryetarit, Kryesia do të duhet të mblidhet për caktuar datën e zhvillimit të zgjedhjeve.

Por kush janë ata që do të vendosin nëse partia duhet të shkojë në zgjedhje, çka do ta mbante atë në një kurs përplasjeje të fortë me Berishën apo nëse duhet të reflektojë për të gjetur mundësi për t’u bashkuar me demokratët që drejtohen nga Berisha, që, siç tregoi rezultati i zgjedhjeve të 14 majit, janë në shumicë?

Burime të Zoom.al thanë se nën drejtimin e Bashës dhe më vonë të Alibeajt, anëtarët e Kryesisë janë ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme. Faqja e internetit, në të cilën do të duhet të gjendeshin emrat, është nën menaxhimin e të besuarve të Lulzim Bashës. Dhe sipas të njëjtave burime, që përbërja e kryesisë të këtë ndryshuar sërish ditët e fundit apo të ndryshojë këto ditë, nuk është e pamundur.

Lulzim Basha e ka nisur planin e rikthimit prej disa ditësh. Ai ka tentuar të bindë deputetët që t’i japin mbështetjen për t’u vënë në krye të partisë. Por ata e kanë refuzuar.

I vetmi që artikuloi sot në mbledhjen e grupit idenë e rikthimit të Bashës ishte Enkelejd Alibeaj. Të gjithë të tjerët e kundështuan, duke thënë se “Basha është e shkuara dhe është provuar që nuk fiton”.

Por pavarësisht se nuk gëzon mbështetjen e deputetëve, Lulzim Basha nuk pritet të heqë dorë nga plani i tij.

Kundërshtisë së deputetëve, Basha kërkon t’u imponohet pikërisht përmes Kryesisë dhe më pas me garë në një antarësi aq të rrudhur saqë nuk arriti të gjente as komisionerë e numërues për votat e 14 majit.

Deputetët ia kanë bërë të qartë: kryetar i demokratëve nuk bëhesh nga vula. Këtë tregoi edhe rezultati i zgjedhjeve. /Zoom.al