Aplikacion
Legjislacioni
Ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” në nenin 3 të tij, pika 16 përcakton se “subjekt i rivlerësimit janë të gjithë personat e parashikuar në nenin 179/b të Kushtetutës”. Referuar pikërisht këtij përcaktimi nenin 179/b i Kushtetutës në pikën 3 sanksionon se “të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio”.
Ndërsa pika 4 e këtij neni përcakton se “procesit të rivlerësimit mund t’i nënshtrohen me kërkesë dhe nëse plotësojnë kriteret sipas ligjit edhe ish-gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet”.
Pra ndonëse këto përcaktime kushtetuese e bëjnë të detyrueshme vettingun për gjyqtarët dhe prokurorët që janë pjesë e sistemit, Sadushi deri më tani nuk ka kryer një proces të rregullt vettingu nga organet e posaçme.
Por çfarë ka ndodhur?
Në bazë të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” të miratuar me konsensus nga Kuvendi në vitin 2016 përcaktohet që vettingut i nënshtrohen vetëm ata gjyqtarë dhe prokurorë apo magjistrat që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Nga ky përcaktim përfiton në mënyrë të drejtëpërdrejtë Sokol Sadushi, i cili në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit në fjalë ishte drejtor i Shkollës së Magjistraturës, pozicion ky që nuk i nënshtrohet procesit të vettingut.
Por sikur të mos mjaftonte vetëm ky përcaktim, ligji në fjalë sanksionon se vettingut i nënshtrohen vetëm gjyqtarët dhe prokurorët magjistrat, duke përjashtuar në këtë mënyrë ata që vijnë nga fusha të tjera siç është edhe profesorati.
Pra duke qënë se Sadushi nuk mban statusin e magjistratit, megjithese ka mbajtur detyra në gjyqësor, më parë si anëtarë i Gjykatës Kushtetuese dhe tashmë si gjyqtar i Gjykatës, atëherë ai nuk i është nënshtruar procesit të vettingut nga organet e posaçme.
Pra ndonëse është njeriu me pozicionin më të rëndësishëm në gjithë systemin gjyqësor në vend, ai duke qënë se ka ardhur nga profesorati nuk duhet t’i nënshtrohet vettingut.
Po kush e kontrollon Sadushin?
Ligji përcakton se të gjithë ata që emërohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji i nënshtrohen një kontrolli nga organet e reja që dolën nga reforma në drejtësi. Bëhet për Këshillin e Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për prokurorët.
Pra në bazë të këtij përcaktimi Sadushi, para se të emërohej duhet t’i nënshtrohej një kontrolli të figurës nga KLGJ. Deri më tani, megjithëse është deklaruar se ai i është nënshtruar një kontrolli të tillë, në fakt publikisht nuk ka asnjë dokument që ta vërtetojë këtë dhe aq më shumë që të nxjerrë në pah rezultatet e këtij verifikimi.
Vlen të theksohet se organet e posaçme të vettingut, në kuadër të transparencës, kanë publikuar deri më tani afro 500 vendime të plota për gjyqtarë e prokurorë të të gjitha niveleve që kanë kaluar deri më tani në vetting. Ndërkohë që për kreun de fakto të Gjykatës së Lartë deri më tani nuk ka asnjë të dhënë apo vendim që ai ta ketë kaluar vettingun.
Të vetmet të dhëna që janë publike deri më tani janë deklaratat e politikanëve apo hulumtimet e mediave të cilat kanë konstatuar jo pak probleme të Sadushit sa i takon çështjes së pasurisë. Pra nga gjithë kjo histori duket se Sadushi, si pjesë e grupit të ekspertëve të lartë që hartoi ligjet e reformës në drejtësi, i ka qepur ligjet sipas interesave të veta në mënyrë që rruga drejt majës së gjyqësorit të mos i pengohet dhe nga ana tjetër të mos i nënshtrohej as vettingut.
Por nëse vertetë Sadushi do të kishte sado pak sedër për të pastruar veten nga dyshimet dhe akuzat publike që janë hedhur ndaj tij, ka pasur mundësinë që të shfrytëzojë pikën 4 të nentit 179/b ku përcaktohet se “procesit të rivlerësimit mund t’i nënshtrohen me kërkesë dhe nëse plotësojnë kriteret sipas ligjit edhe ish-gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet”.
Pra si ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese për më shumë se 10 vite Sadushi ka pasur mundësinë që t’i drejtohej me një kërkesë organeve të vettingut dhe të pastronte të gjitha dyshimet që mbart figura e tij. Fakti që nuk e ka bërë jo vetëm vesh me dyshime figurën e tij dhe kompromenton besueshmërinë e institucionit qe ai drejton. /Zoom.al