zoom

Aktualitet

Si erdhëm deri këtu/ Paralajmërimet e vazhdueshme të Unionit të Transportit Publik

Sot, Unioni i Transportit Publik u sfidua haptazi nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili tha se do të humbte licensën kushdo që nuk do të dilte në punë, pas njoftimit se do të kishte reduktim të autobusëve në kryeqytet.

Prej disa kohësh, ata kanë paralajmëruar marrjen e masave drastike, nëse sipas tyre, Bashkia e Tiranës nuk jepte zgjidhje.

Korrikun e vitit të shkuar, Unioni i Transportit Publik njoftoi se për muajin gusht nuk do të shiteshin abone. Operatorët i kërkuan qeverisë të kishte një tjetër paketë antikrizë për t’i subvencionuar për çmimin e lartë të naftës. Nëse nuk do të shpërndaheshin subvencionet, kompanitë e transportit urban në Tiranë përsërisin kërkesën e tyre për rritje të çmimit të biletës ose në rast të kundërt shërbimi do të shkonte drejt mbylljes totale.

Por nga ana tjetër, për 11 operatorët e transportit urban të Tiranës rezulton të jetë miratuar fondi prej 1 mln euro për të kompensuar rënien e numrit të pasagjerëve deri në 55% në pandemi.

Shpërndarja e kompensimit nga Bashkia e Tiranës u vendos të jetë për periudhë 6 mujore me vlerë 200,000 lekë/muaj për çdo operator. Për shkak të paketës antikrizë të miratuar nga qeveria për të subvencionuar çmimin e lartë të naftës operatorëve iu disbursua vetëm një këst në muajin shkurt, duke thelluar kështu problemet e tyre.

Vendimi drastike vjen sipas tyre, pasi nuk është marrë asnjë masë për plotësimin e kërkesave ekonomike që janë premtuar, ndërsa rritja e pandërprerë e çmimit të naftës dhe largimi i stafit e kanë rënduar edhe më tej situatën ekonomike.

Ky vendim nuk është diçka e re, sepse një problematikë e tillë ka filluar prej disa vitesh, me një pikë kulmore në kohën e pandemisë. Ata vendosën një masë të tillë për mosmarrjen e masave nga ana e qeverisë për të kompensuar humbjet që sektori i transportit publik kishte pësuar gjatë pandemisë. Në deklaratën e tyre shtonin se sektori ka shkuar deri në kapitullimin ekonomik.

Prej disa kohësh tashmë, Unioni ka dalë me disa kërkesa e thirrje për qeverinë si rregullator të situatës. E ndërsa sot ka njoftuar:

Duke nisur nga dita e sotme, shërbimet e Transportit publik në qarkun e Tiranës për për të gjitha linjat urbane, do të funksionojnë me mjete të reduktuara.

Unioni thotë se ky vendim vjen si pasojë e sfidave të shumta financiare me të cilat po përballen operatorët e këtij shërbimi. Pavarësisht se shqetësimi është adresuar disa herë thotë Unioni, nuk është marrë asnjë masë parandaluese për të zbutur situatën.

Unioni i Transportit u kërkon organeve përgjegjëse që të nisin një dialog konstruktiv për të adresuar shqetësimet financiare dhe sfidat operacionale që po prekin këtë shërbim.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dhënë përgjigje ultimatumit të Unionit të Transportit Publik. Duke e cilësuar një pabesi ndaj qytetarëve të Tiranës, sidomos në një periudhë me temperatura mjaft të larta, Veliaj tha se qëndrimi ndaj cilësdo linjë që ndërmerr një vendim të tillë do të jetë i ashpër, deri në heqjen e licencës.

Transporti publik urban në Tiranë përdoret mesatarisht nga rreth 200,000 persona në ditë. Dhe një masë e tillë e ndërmarr nga ana e Unionit të Transportit Publik rëndon mbi të gjitha tek qytetarët e Tiranës, të cilët janë të detyruar të përdorin transportin publik çdo ditë, sidomos në temperaturat përvëluese me të cilat po përballet vendi prej disa javësh tashmë./ Zoom.al