zoom

In Zoom

Si e akuzonin njëri – tjetrin Edi Rama e Vangjel Tavo për blerje votash në Dropull

Vangjel Tavo do të hyjë në garën për kryetar bashkie në Himarë me një barrë të rëndë që i ka vënë atij Edi Rama.

Kryeministri e ka akuzuar atë për blerje votash në zonën e Dropullit, në kohën që Tavo kandidonte për deputet për LSI.
Vetëm 3 vjet më parë, në prill të vitit 2021, Rama do të shkruante kështu për Tavon.

RAMA: Vangjo tepsixhiu i baba Likes dhe doktore Monës, kujton se do blejë përsëri vota me zarfe e presione greke në Dropull”.

Deklarata e Ramës erdhi si reagim ndaj akuzave të Tavos se Rama kishte paguar deri në 500 euro për votë në Dropull.

TAVO: Flitet për 500 euro, është rritur çmimi. Tashmë lekët e akumuluara nga hashashi vitet e kaluara e kanë bërë të vetën dhe do të harxhohen. Unë u them njerëzve që t’i marrin lekët se të vjedhura janë apo lekë droge, por votat t’i hedhin aty ku mendojnë. Lekët e vjedhura më mirë t’i kenë të varfrit se ata që i kanë”.

Reagimet e Tavos ndaj Ramës në atë kohë ishin edhe më të forta sesa akuzat për blerje të votave.

“O i paudhë, o i pamoral, o i padinjitet, o i pafe! Je panikosur për humbjen e pritshme dhe po bredh nëpër varreza, duke gënjyer dhe të vdekurit, por koha e regjimit tënd ka mbaruar”, tha ai pasi Rama kishte përuruar rikonstruksionin e Kishës së Shën Mërisë në Dropull.

Tani, të dy të akuzuarit nga njëri – tjetri se blejnë vota, janë bërë bashkë. Nëse akuzat e tyre janë të vërteta, zgjedhjet në Himarë paralajmërojnë një masakër të vërtetë me votat.

Në të kundërt, si Rama ashtu edhe Tavo duhet të sqarojnë se nuk u besojnë fjalëve të tyre, ose ashtu siç ndanin akuzat për njëri – tjetrin do të duhet të ndajnë edhe përgjegjësinë nëse do të jenë të dy bashkë nën akuzë për blerje votash, siç ka qenë mazhoranca socialiste e akuzuar në çdo palë zgjedhje nga opozita. /Zoom.al