Aplikacion
Ministria e Drejtësisë ka rishikuar këto afate në një draftligj duke argumentuar se në kushtet aktual Agjencia e Trajnimit të Pronës e ka të pamundur të respektojë afatin fillestar që për shqyrtimin është fundi i këtij viti ndërsa për pagesat fundi i vitit 2026.
Sipas relacionit që shoqëron draftin e nxjerrë për konsultim në nenin 1 të projektligjit përcaktohet ndryshimi i afatit të shtrirjes në kohë të fondit të kompensimit deri në vitin 2028. “Aktualisht, sipas parashikimeve ligjore, fondi i kompensimit prej 50 miliardë lekësh është i shpërndarë në 10 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra deri në vitin 2026. Kjo shtyrje diktohet nga një sërë faktorësh:
– Shtyrja e afatit për shqyrtimin e kërkesave deri në 31.12.2027, sipas projektligjit të propozuar;
-Në përputhje me ligjin nr.133/2015, të ndryshuar, Agjencia e Trajtimit të Pronave është e ngarkuar për zbatimin e vendimeve kur ato të marrin formë përfundimtare në kuptim të ligjit, sa i takon vlerësimit financiar të së drejtës së kompensimit apo për ekzekutimin e vlerësimit sipas vendimit gjyqësor.
– Back log-u i dosjeve pranë sistemit gjyqësor;
– Ecuria e proceseve gjyqësore dhe qëndrimit të gjykatave, të cilat përsa i takon trajtimit të kërkesave për njohje pronësie nuk kanë proceduar në të gjitha rastet edhe me vlerësimin financiar të së drejtës së njohur, shtyrja e afatit të vlerësimit financiar deri në vitin 2027, krijon kushtet për vlerësimin financiar të titujve ekzekutiv gjyqësor nga ana e ATP-së.
Pra, në përputhje me këtë dispozitë, ATP-së i krijohet mundësia që të vijojë me ekzekutimin e vendimeve dhe kompensimin deri në 31.12.2028” thuhet në relacion.
Në parashtrimin e bërë sa i takon arsyes pse ende kërkohen disa vite të tjera për shqyrtimin e dosjeve qeveria argumenton se sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2022 në ligjin nr.133/2015, Agjencia e Trajtimit të Pronave filloi hetimin administrativ për shqyrtimin e 7000 dosjeve të patrajtuara për njohje pronësie, për të cilat ka kryer procedurat e njoftimit të subjekteve për plotësim dokumentacioni.
“Aktualisht, rezulton se ATP ka në proces shqyrtimi 5862 dosje dhe 1197 praktika, në total 7059, nga të cilat 705 dosje/praktika të rikthyera për trajtim.
Në lidhje me procesin e vendimmarrjes, ATP ka përmbyllur aktualisht procedimin administrativ, duke marrë vendim për 115 dosje ose 1.6% të kërkesave ende të patrajtuara, ndërsa ka filluar procedurat e njoftimit për plotësim dokumentacioni për rreth 2900 kërkesa për njohje pronësie ose 41.4% të dosjeve/praktikave” thuhet në dokument. ATP duket se e ka të pamundur të përfundojë procesin sipas afatit për shkak edhe të disa faktorëve të jashtëm që lidhen me plotësimin e dokumentacionit ku disa konfirmime nga institucione të treta kërkojnë 3-6 muaj.
“Duke marrë në konsideratë kohën e mbetur në dispozicion, referuar treguesve të performancës, kapaciteteve të burimeve njerëzore, kompleksitetit të procedimit si dhe kërkesave ligjore për përfundimin e procedimit administrativ, paraprakisht vlerësohet se objektivi ligjor për trajtimin e plotë të dosjeve të patrajtuara brenda datës 31.12.2024, nuk mund të realizohet.
Këto përfundime, mbështeten në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, të cilët kanë kushtëzuar vendimmarrjen e ATP-së, duke projektuar si objektiv të arritshëm maksimalisht rreth 700 vendime deri në fund të vitit 2024, ose 10% të dosjeve të patrajtuara” thuhet në relacion./Monitor