zoom

Aktualitet

Shqiptari vritet në shkallët e pallatit, familjarët i kërkojnë policisë që t’iu dorëzojë autorin

Një 61 vjeçar është vrarë me thikë mbrëmjen e kaluar në Bibbiano të Reggio Emilias në Itali, ku kishte shkuar për të vizituar vajzën dhe mbesën e tij të mitur.

Ilirjan Minaj u qëllua disa herë me thikë në shkallët e pallatit nga një fqinj i vajzës së tij, i cili më pas u arrestua nga policia.

Sipas të dhënave paraprake Minaj po ngjitej për në apartament kur është përballur me 41-vjeçarin Riccardo Stefani, i cili e ka ngacmuar shqiptarin.

Pas sherrit, Stefani është futur në shtëpi dhe 61 vjeçari Minaj ka goditur derën me forcë. Më pas italiani ka dalë dhe e ka qëlluar disa herë me thikë, duke e lënë të vdekur.

Menjëherë në vendngjarje, shkoi policia, pasi situata u përshkallëzua menjëherë. Miq dhe fqinj të vajzës së Minaj nuk kanë lejuar efektivët që të shoqërojnë autorin dhe rrethuan makinën e policisë, pasi 41 vjeçari njihej si person problematik në zonë.

Karabinierët kanë arritur të menaxhojnë situatën duke shpëtuar italianin nga të afërmit e 61-vjeçarit dhe në vendngjarje është kërkuar një automjet i blinduar, ndërsa për të ruajtur sigurinë u vendos një kordon me policinë.

Viktima raportohet se ishte nga Korça dhe prej disa vitesh ishte shpërngulur me gruan e tij Natasha në Bibbiano.