Aplikacion
Deputetë të opozitës po ashtu po postojnë statuse me akuza ndaj qeverisë, se po përpiqet të nënshtrojë mediat e “Focus Group” që janë kundër tij. Sot disa prej tyre u shfaqën në resort me të njëjtat denoncime, se “me anë të fadromave Rama po godet linjën editoriale të këtyre mediave”.
Në publik reagimet janë të ndryshme, pro dhe kundër prishjes së një pjese të resortit që ka zaptuar ranishten në plazhin e Golemit, pro dhe kundër faktit që e gjithë kjo po bëhet për shkak se mediat e Hysenbelliut i kanë dalë Edi Ramës nga rreshti.
Por a mund të shndërrohet ky aksion apo kjo prishje e marrëdhënieve Rama – Hysenbelliu në një “casus” politik ku opozita të përqendrojë gjithë aksionin e saj?
Ne e kemi parë në këto vite se si opozita ka dështuar ta bëjë për vete opinionin publik kur Rama u ka shembur me tritol e fadroma shtëpitë e bizneset qytetarëve, për shkak se kishin ndërtuar pa leje apo për arsye të veprave publike që u ndërtuan mbi to. Ajo i mbajti 1 vit në protestë qytetarët e Unazës së Re, por aksioni nuk dha rezultat. Ajo iu bashkua protestës kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, por nuk mundi ta ndalë shembjen. Ajo denoncoi prishjen e shtëpive te “5 Maji”, por sërish nuk arriti të frenojë ruspat e qeverisë. Arsyeja? Sepse në secilin prej këtyre aksioneve, përveç Teatrit, Rama ka vepruar duke përdorur shkeljet ligjore të atyre që e kanë pësuar nga vendimet e tij, në këtë rast ndërtimet pa leje që ka lejuar vetë.
Edhe pishinat te “Prestige Resort” Rama mund t’i ketë lejuar vetë që të ndërtohen pa leje dhe po e përdor këtë fakt tani që i nevojitet. Edhe pronarët e mediave të tjera ai mund t’i ketë përfshirë në të njëjtën skemë, duke u lejuar të marrin përfitime të paligjshme, për t’i mbajtur në këtë mënyrë peng të qëllimeve të tij.
“Prestige Resort” mund të jetë hakmarrje e Ramës për ndryshimin e vijës editoriale të mediave të “Focus Group”, por ministritë e Ramës thonë se ka paligjshmëri në ndërtimin e pishinave te resortit. Ministria e Financave mund ta nxjerrë News 24 nga zyrat që i ka dhënë me qira për shkak se ky television po denoncon disa afera të institucioneve shtetërore, por ajo deklaron publikisht se ai nuk ka paguar faturat për 6 vjet me radhë dhe “Focus Group” nuk po vërteton dot të kundërtën. Banorët e Unazës së Re u ankuan me të drejtë se po humbisnin shtëpitë, por ata nuk vërtetuan dot se kishin leje për të ndërtuar.
Pra, në thelbin e veprimeve të Edi Ramës padyshim që mund të jenë interesat e pushtetit të tij, por për t’i justifikuar ato ai po shfrytëzon shkeljet ligjore të vetë bizneseve apo individëve që pushteti i tij ka vënë në shenjestër.
Dhe beteja duhet fokusuar pikërisht te ligji dhe zbatimi i tij. Nëse “Prestige Resort” ka ndërtuar pa leje, mediat e Hysenbelliut duhet ta braktisin këtë fushatë transmetimesh non-stop nga prishja e pishinave, opozita do të duhet ta ndalë fushatën në mbrojtje të tij, sepse qytetarëve nuk u intereson biznesi i Irfanit, aq më tepër kur shohin fotot ku ai e ka shtruar vendçe aty pak kohë më parë me Edi Ramën apo Taulant Ballën.
Sa më shumë orë transmetimi live nga plazhi i Golemit, aq më shumë po tregon se sa “grurë” e ka pasur me pushtetin në kohën kur i ishte vënë në shërbim.
Do të ishte më e udhës dhe do t’i shërbenin më shumë publikut duke denoncuar aferat e qeverisë Rama, të ministrave të tij, të kryetarëve të Bashkive, duke sjellë shembuj të tjerë të dhunës e presionit që qeveria ushtron mbi media, biznese e qytetarë vetëm për të mbajtur pushtetin.
Do ta tërhiqnin më tepër vëmendjen e qytetarëve duke publikuar fakte mbi aferat më të mëdha korruptive për të cilat është denoncuar kjo qeveri, inceneratorët e Tiranës, Elbasanit e Fierit, investimet strategjike në bregdet, koncesionet e Check Up, Dializës, Laboratorëve, kontrabandën e naftës, tenderat e veprave publike që i fitojnë të njëjtat kompani të lidhura me pushtetin, kostot e fryra të rrugëve, ndërtimet pa leje të klientëve qeveritarë, korrupsionin në çdo degë të qeverisjes siç thotë Departamenti Amerikan i Shtetit e shumë afera të tjera, çmimin e naftës që luhatet gjithnjë në favor të grosistëve, abuzimet me çmimin e ushqimeve, emërimet nepotike, arsyet e largimit të të rinjve shqiptarë, arsyet se përse kriminelët më të rrezikshëm dalin nga burgu e përse “çunat e Londrës” arrijnë të lëvizin lirshëm nëpër Shqipëri apo të investojnë si pas të keq paratë e drogës e trafiqeve të tjera, arsyet e amnistisë fiskale që synon t’i legalizojë këto para dhe miliardat e korrupsionit.
Nëse mediat e Hysenbelliut dhe opozita do t’u kushtonin më tepër hapësirë këtyre çështjeve atëherë ata do ta kishin fituar betejën me Edi Ramën. Nëse do të mbeten te pllakat e pishinave të “Prestige Resort”, mjafton të kujtojnë se aty mund ta kenë pasur mundësinë të lahen vetë 0.01 % e shqiptarëve, shumica e të cilëve kanë qenë deputetë e politikanë, të opozitës e qeverisë. /Zoom.al