zoom

Aktualitet

Shqipëria refuzon të ekstradojë drejt Rusisë kritikun e Putinit. Mjeku Bobovnikov do lirohet

Ministria e Drejtësisë refuzoi zyrtarisht ekstradimin e kritikut të Vladimir Putin drejt Moskës, teksa akuzohej se ishte shprehur kundër luftës në Ukrainë.

Aleksandër Bobovnikov, me profesion mjek dhe shtetësi ruse e izraelite, akuzohej për mashtrim në Rusi. Në gjykatë ai nuk pranoi akuzat dhe deklaroi se Moska e përndiqte, teksa ishte ndaluar dhe liruar edhe nga vende të tjera si Franca dhe Italia, që e kishin refuzuar ekstradimin gjithashtu.

Bobovnikov kishte kritikuar ambiciet ekspansioniste të shefit të Kremlinit, Vladimir Putin, kur nisi sulmin ushtarak ndaj Ukrainës dy vite më parë. Gjykata e Tiranës ka liruar rusin Bobovnikov, i ndaluar në aeroportin e Rinasit disa ditë më parë. Bobonvikov u arrestua 15 ditë më parë në aeroportin “Nënë Tereza”.

Bobovnikov erdhi nga Gjermania, e ndonëse ishte ndaluar përkohësisht në Itali, vend i cili nuk pranoi kërkesën e Rusisë për ekstradim, lëvizte i lirë në gjithë Europën. Ai deklaroi pas arrestimit në Shqipëri se kishte ardhur për arsye turistike, por gjykata e la në burg me afat 15 ditor.

Në vitin 2022, Gjykata e Moskës lëshoi një urdhër arresti për qëllime ekstradimi për Bobovnikov, i akuzuar për mashtrim, krim për të cilin rrezikonte një dënim deri në 10 vjet burg. Ai dyshohet se mori mbi 18 milionë rubla nga një shtetas tjetër, me premtimin se do ta ndihmonte të kërkonte punë në agjencitë qeveritare. /ZOOM.AL/