zoom

Lajme

Shqipëria po përgatitet për Spanjën, Manaj: Ekipi i karikuar, japim shpirtin në fushë. Kemi shpresa

Sulmuesi i Shqipërisë, Rey Manaj, doli sot në konferencë për mediat sportive, në kuadër të kompeticionit EURO 2024 në Gjermani dhe pragndeshjes së tretë të Grupit B, që Shqipëria do luajë me Spanjën.

Manaj, u shpreh se kuqezinjtë do të luftojnë deri në fund për kualifikimin, edhe pse ky mision duket mjaft i vështirë, pasi përballë do të jetë  Spanja.

“Kur mbaroi ndeshja filluam të mendonim. Mund të kishim arritur 3 pikët. Goli i dytë mund të jepej faull, por gjyqtari tha që nuk kishte asgjë nga VAR-i. Pak pishman, pasi mund të kishim fituar. Tani duhet të fitojmë ndaj Spanjës. Kemi më shumë shanse nëse fiton sonte Spanja. Shpresoj të bëjmë historinë.

Goli i shpejtë me Italinë na bëri të uleshim shumë. Ndërkohë që ndaj Kroacisë pjesa e parë ishte ndër më të mirat e viteve të fundit. Goli i parë i pësuar na demoralizoi, na destabilizoi pak, por patëm forcë me golin e Klausit dhe atë që dhanë lojtarët e ardhur nga stoli. Goli është gjëja më e rëndësishme për një sulmues, por jemi ekip kompakt. Rëndësi ka të shënojmë, jo kush shënon”, tha ai.

Ekipi mësohet se është stërvitur normalisht dhe nuk ka dëmtime serioze te lojtarët, teksa Silvinjo po përgatit planin sekret dhe taktikën për të marrë 3 pikët e nevojshme. Sot në mbrëmje luhet edhe finalja e parakohshme e grupit, Spanjë-Itali, që do të garojnë për vendin e parë. /ZOOM.AL/