zoom

Aktualitet

Shqipëria me nivelin më të lartë të fëmijëve nën 6 vjeç në rrezik të varfërisë në Europë! Çfarë tregon raporti i BE

Rreth 48 për qind e fëmijëve poshtë 6 vjeç në Shqipëri janë në rrezik të varfërisë vlerësoi një raport i fundit i Bashkimit Europian, i cili vlerësoi zhvillimet në arsimin e fëmijëve poshtë 6 vjeç në Europë.

Siç tregon grafiku i mëposhtëm fëmijët shqiptarë në rrezik të varfërisë janë më shumë se dyfishi i mesatares se BE-së  23,5%  me 2023.

Sipas përcaktimeve të Eurostat, fëmijët konsiderohen të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social nëse ata jetojnë në familje me të ardhura që janë më pak se pragu 60 % i të ardhurave mesatare kombëtare.

Gjithashtu ata konsiderohen në rrezik të varfërisë nëse vuajnë nga privimi i rëndë material dhe social, që do të thotë se familjet e tyre nuk munden të përballojë të paktën 7 nga 13 nevoja për një jetesë normale.

Këto nevoja përfshijnë të pasurit mundësi të mbajnë shtëpitë e tyre të ngrohta, të blejnë rroba të reja, të kenë dy palë këpucë që përshtatshme dhe te kenë mundësi të kalojnë një javë pushime larg shtëpisë.

BE vlerëson se në mesin e fëmijëve në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social është e zakonshme të gjesh familje që kanë fëmijë me aftësi të kufizuar ose që jetojnë me një prind, ose fëmijë që kanë prindër me paga të ulëta ose të papunë.

Krahasimi i Bashkimit Europian tregoi se Shqipëria kryesoi renditjen për nivelin e lartë fëmijëve në rrezik të varfërisë, e ndjekur nga Turqia dhe Mali i Zi.

Ndër shtetet anëtare, në vitin 2023, përqindjet më të larta të fëmijëve nën moshën 6 vjeç në rrezik të varfërisë  e kishte Rumania  35.3%, Bullgaria 34,2% dhe Spanja 34,1%.

Sllovenia është e vetmi vend europian që regjistron më pak se 10% të fëmijëve nën moshën 6 vjeç në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.

Në Çeki, Kroaci, Luksemburg, Holandë, Poloni, Finlandë dhe Norvegji 12-15% të fëmijëve nën 6 vjeç jetojnë në rrezik të varfërisë.

Të dhënat tregojnë se përqindja e fëmijëve në moshën 0–5 vjeç që përballet me varfërinë ose përjashtimin social ka rënë në shumicën e vendeve evropiane që nga viti 2015. Serbia dhe Rumania spikasin me ulje prej 15.3 dhe 14.4 pikë përqindjeje përkatësisht secila .

Rënie të treguesit kishte edhe në Bullgari, Letoni, Hungari dhe Mal të Zi. Në të kundërt, përqindja e fëmijëve në rrezik të varfërisë ose përjashtimi social është rritur me 8.9 për qind pikë në Turqi që nga viti 2015.

Ndryshe nga Shqipëria një numër i madh vendesh në Europë promovojnë masa lehtësuese dhe  mbështetje për familjet që po rrisin fëmijë./Monitor

Postime të lidhura