zoom

Ekonomi

Shqipëria me elektroshtëpiake, makina dhe veshje më të shtrenjta se Europa

Ndonëse me një ekonomi minimaliste, Shqipëria renditet ndër vendet me çmimet më të shtrenjta të të mirave për konsum.

Në renditjen që bën Eurostat për vitin 2023, Shqipëria ka produktet më të shtrenjta të pajisjeve elektroshtëpiake në të gjithë vendet europiane, me një indeks prej 131.7. Mesatarja europiane është 101. Në këtë grup bëjnë pjesë të gjitha pajisjet e shtëpisë, nga frigoriferi, lavatriçe, furra etj.

Edhe elektroniket (celulare, kompjuter, tablet etj) kushtojnë shumë më shumë në Shqipëri se sa në një vend tjetër. Indeksi shënon 133 nga 99.6 që është mesatarja e BE-së.

Eurostat mat edhe indeksin për ushqimet ku Shqipëria raportohet me një indeks 66 nga 106, pra me çmime më të ulëta. Por tabela tregon se veshjet në Shqipëri shiten disa herë më shtrenjtë se në rajon, dhe në nivele të ngjashme me Europën.

Shqipëria renditet pas vendeve nordike dhe Zvicrës, për çmimet e larta të makinave dhe motorëve, me indek 99.8 nga 100.8 mesatarja.

Ndër vendet e BE-së, Luksemburgu dhe Zvicra kanë çmimet më të shtrenjta të pijeve dhe ushqimeve, Irlanda të alkoolit dhe duhanit, Danimarka veshjet dhe këpucët. Në tërësi, Maqedonia e Veriut ka çmimet më të lira.