Aplikacion
Nga publikimi i fundit i Global Petrol Price, Shqipëria është në vendin e 10 për çmimin më të shtrenjtë të kësaj lënde, me 2.24 dollarë/litër, ku vendi i parë i takon vendit me shifrën më të lartë, që është Hong Kongu me 2.77 dollarë.
Detaji interesant është se Shqipëria renditet fill pas Zvicrës, e cila mban vendin e 9, me 0.003 dollarë më shtrenjtë.
Përpara Zvicrës renditen vende si Mbretëria e Bashkuar , Danimarkë, Monaco, Finlandë, Islandë, Norvegji, Suedi dhe Hong Kong. Pra vende ku mesatarja e PBB-së vjetore për frymë është 72 mijë dollarë, në kundërshtim nga vendi jonë, me PBB për frymë, 5.2 mijë dollarë në vit.
Tani, nuk vlen më as fjalia “njësoj me Gjermaninë”, referuar vlerës me të cilën tregtohet nafta me pakicë, sepse Shqipëria qëndron para saj në listë.
Vendi jonë lë pas edhe Belgjikën, Italinë, Francën, Singaporin, Spanjën dhe çdo vend tjetër të zhvilluar, në zhvillim apo të Botës së Tretë.
Shqipëria renditet në vendin e dhjetë sipas një listimi të thjeshtë të çmimit të naftës, nga më i larti tek më i ulëti, por nëse bëjmë një llogaritje tjetër, Shqipëria do të mund të mbante vendin e parë për çmimin e naftës.
Vlera që shpenzohet për një litër naftë në Shqipëri, në raport me PBB-në për frymë zë përqindje shumë më të madhe se sa në një vend tjetër.
Nga të dhënat publike, GFI Albania, kompania që markon karburantet në vend dhe të përllogaritura nga Zoom.al, në Shqipëri konsumohen 649 mln litra hidrokarbure, përpjestuar me numrin e DPSHTRR për numrin e mjeteve rrugore, 628 mijë rezulton se çdo automjet në vend konsumon mesatarisht rreth 1.033 litra karburant në vit, me koston mbi 2.300 dollarë në vit.
Shifër që llogaritet sa 44% i PBB-së për frymë për një shqiptar./Zoom.al