zoom

Lajme

Shqipëria do të presë palestinezët? Berisha: Oligarkët prej 3 muajsh ua thonë klientëve

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për media foli edhe për lajmin e përgënjeshtruar nga kryeministri Edi Rama se Shqipëria do presë 100 mijë palestinezë nga Gaza.

Sipas Berishës, ky lajm ka tre muaj që qarkullohet nga oligarkët e Edi Ramës, që u thonë klientëve se Rama do sjellë palestinezë për të blerë apartamentet. Ai gjithashtu tha se, referuar tij, Shqipëria nuk ka asnjë kapacitet, duke pasur parasysh një eksperiencë të shkuar.

“Këtu nuk ekziston shtet dhe këtu ka një narkoshtet dhe një narkoshtet të gjitha kapacitetet i ka për krim, krim dhe vetëm krim. Urdhëro çfarë ndodhi me ata që kemi. Ua dërgoi të dhënat ajatollahëve.

Pra, një narkoshtet nuk ka kapacitet të menaxhojë asgjë. Natyrisht jam i informuar se kjo oshëtimë ka tre muaj që qarkullohet nga oligarkët e Edi Ramës, që u thonë klientëve se Rama do na sjellë palestinezë për të blerë apartamentet.

Kjo është e vërtetë”, deklaroi ai ndërsa shtoi se nuk mund të besojë në atë që thotë Rama dhe theksoi sërish se sipas tij, Shqipëria nuk ka asnjë kapacitet për trajtim.

Një ditë më herët Rama mohoi pretendimet e gazetarit dhe analistit politik izraelit të medias “Channel 12”, Amit Segal, se Shqipëria është në negociata me administratën Trump për të pritur më shumë se 100 mijë palestinezë për shkak të luftës.

Segal shkroi në rrjetet sociale se pasi Egjipti dhe Jordania refuzuan të presin refugjatët nga Gaza, zyrtarët në administratën e re amerikane kanë nisur bisedimet me palën shqiptare dhe indoneziane.

Postime të lidhura