zoom

In Zoom

Shqipëri, çmimi i naftës në qiell! Sa drejt po vepron Bordi i Transparencës

Shqipëria vazhdon të ketë çmimin më të lartë të naftës në vendet e rajonit dhe të listohet ndër të parat edhe në ato të Europës.

Nga vendimi i fundit i Bordit të Transparencës, më 1 qershor, nafta me pakicë u vendos të shitej me vlerë 248 lekë për litër deri në një mbledhje të dytë të pacaktuar.

Rritja prej 5% në pak ditë, e përkthyer në 11 lekë, nuk kishte ndodhur që nga krijimi i Bordit në mesin e muajit mars, kur një litër naftë shitej me 270 lekë.

Atëherë, arsyetimi i dhënë për ngritjen  e kësaj strukture ishte menaxhimi i çmimit të hidrokarbureve sipas vlerës në bursën ndërkombëtare. Por shpesh herë kjo nuk ka rezultuar e vërtetë, përfshirë vendimin e fundit nga Bordi.

Në vendet fqinje, nuk ka një Bord Transparence, por ka njësoj një krizë çmimesh. Në Maqedoni të Veriut, litri i naftës shitet me 1.4 euro. Në Serbi është vendosur çmimi i fiksuar prej 1.50 euro për litër. Në Mal të Zi, një litër naftë tregtohet me 1.78 euro. Qeveria e Kosovës ka vendosur një marzh fitimi deri në 4% për tregtuesit dhe jo një çmim fiks, por përsëri nafta atje tregtohet më lirë se në vendin tonë.

Në një krahasim me vendet e pasura të Europës, Shqipëria vazhdon të kryesojë, duke lënë pas me një diferencë minimale prej 0.04 euro, Gjermaninë, Belgjikën dhe Danimarkën.

Në Itali një qytetar mund të blejë një litër naftë me 1.8 euro, rreth 216 lekë . Në Francë po ashtu, Spanjë, Portugali etj.

Ngritja e një Bordi Transparence është parë me dyshim nga ekspertë të ekonomisë në vend, por edhe nga figura të politikës.

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, herë pas here ka akuzuar Bordin si organizëm korruptiv që i shërben qeverisë dhe klientëve të saj, dhe se u ka vjedhur shqiptarëve 300 milionë euro që nga krijimi pak muaj më parë.

Akuzat e Berishës lidhen me grosistët e naftës, që sipas të dhënave tatimore, importuesit kryesorë në Shqipëri janë Kastrati, Eida, Gega Oil etj.

Gjatë të njëjtës kohë, edhe deputeti socialist, Erion Braçe ka qenë po ashtu kritik i Bordit, duke thënë se ato po i shërbejnë vetëm një grupi tregtarësh, që kanë krijuar një kartel të karburanteve në vend.

Në një debat në Kuvend me ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, Braçe do të shprehej se: “Qeveria nuk ja ka dalë mbanë që të krijojë tregje vërtet konkurruese, duke hequr barrierat për hyrjen e operatorëve të rinj në treg.”

Pak ditë më parë, ai bëri pjesë të akuzave të tij edhe Shoqatën e Hidrokarbureve në vend, ku sipas tij ajo  kërcënon pikat e shitjes me pakicë që po shesin karburantin poshtë çmimit të fiksuar nga Bordi.

“Kanë çmime nga 2 lek më pak deri në 12 lek më pak për litër se çmimi i fiksuar i kartelit të naftës. E dija që do të vinte dita që pikat e bardha e rrjetet e vogla do të dilnin nga rreshti i çmimit të fiksuar, po rrënoheshin”,-shkruan Braçe.

Të gjithë faktet e lartpërmendura, ngrenë një pikëpyetje të madhe, vendimmarrjet e këtij bordi dhe qëllimin e ngritjes së tij; mbrojtjen e interesit të qytetarëve./Zoom.al