zoom

Slider

Shpërthen Bonucci: Juventus më shkatërroi, nuk mund ta harroj këtë torturë psikologjike

Leonardo Bonucci është rikthyer të flasë për largimin nga Juventusi, duke shfaqur gjithë mllefin dhe zhgënjimin e tij për mënyrën se si e trajtuan bardhezinjtë, pas më shumë se 500 ndeshjesh me ta.

Mbrojtësi veteran italian tha se vetëm në tetorin e kaluar i propozuan rinovimin, teksa brenda pak muajsh e nxorën nga planet.

“Ishte një turpërim, ai që më bëri Juventusi pas më shumë se 500 ndeshjesh të luajtura për këtë skuadër. Kam sakrifikuar shumë në fushë dhe sigurisht që meritoja një trajtim ndryshe. Në tetor skuadra më ofroi rinovimin e kontratës, ndërsa më pas ndërhyri Allegri dhe më nxori nga ekipi. Pastaj dëgjova fjalët e trajnerit sipas të cilit koncepti i lamtumirës në fund të sezonit do të ripërsëritej nga ai dhe klubi në shkurt. Edhe kjo nuk është e vërtetë: trajneri më thirri vetëm në fund të marsit në zyrën e tij, para ndeshjes kundër Freiburgut në Europa League, për të më thënë se do të ishte e përshtatshme të parashikoja – sipas tij – karrierën time si trajner duke lënë futbollin. Unë i thashë se e respektoja atë opinion, por që nuk doja të ndalesha deri në Kampionatin Evropian 2024”, deklaroi Bonucci.

Duke folur për procesin gjyqësor, mbrojtësi italian tha se është më shumë i karakterit moral, teksa drejtoi gishtin e akuzës nga Allegri, si njeriu që e detyroi dy herë të largohet nga Juventusi.

“Gjyqi është më shumë çështje morale dhe nëse e fitoj, dëmshpërblimin do ta jap për bamirësi. Jam larguar dy herë nga Juventusi dhe të dy rastet më ka detyruar i njëjti njeri ta bëj këtë”, u shpreh mbrojtësi. /zoom.al/