zoom

Aktualitet

Shpërthen Blendi Fevziu: Kjo është në kufijtë e kriminales

Gazetari Blendi Fevziu, drejtues i emisionit “Opinion” në Tv Klan ka reaguar në lidhje me tragjedinë e ndodhur në dyert e SPAK-ut dy ditë më parë, ku një qytetar piu helm pasi një skemë mashtrimi e mikrokredive i kishte marrë atij gjithë pasurinë.

Gazetari thotë se 63-vjeçari Pal Trashaj, nga Lezha, iku nga jeta sepse askush nuk e dëgjoi shqetësimin e tij dhe shoqëria dhe institucionet e shpërfillën. “Kjo është në kufijtë e kriminales” – shkruan Fevziu, pasi të gjithë e vranë atë nga pak, duke mos e dëgjuar shqetësimin e tij të drejtë.

REAGIMI I PLOTË

Ky burrë 63-vjeçar iku nga kjo jetë, sepse askush nuk e dëgjoi, sepse askush nuk e mori seriozisht.

Sepse ligjet e vendit të tij, në vend që ta ndihmonin, e zhytën thellë e më thellë në një skemë cfilitëse. Iku për 500 mijë lekë që i kishte paguar prej kohësh, pa e kuptuar se si i rriteshin kamatat.

Iku pasi trokiti në dyert e drejtësisë e të mediave dhe askush nuk e ndihmoi dot. Iku pasi 4 vite me rradhë u mundua të sqaronte pozitën e tij dhe të ngjashmëve si ai, të shpërfillur nga ligji dhe të shtypur nga paraja, pasuria, babëzia dhe makutëria e kësaj shoqërie. Iku nga arroganca e zbatimit të ligjit, ku për një debat mbi detyrimet e mbetura i kishin bllokuar në mënyrë arbitrare dhe arrogante gjithçka. Edhe lekët e fundit dhe çdo lloj prone të vënë me djersë në 63 vite jetë.

Nuk dua ti hyj debateve mbi detyrimet e tij dhe kontratat që ka pasur, por shpërfillja e shoqërisë për shqetësimin e anëtarëve të saj, shpërfillja për të drejtat e atyre që trokasin derë më derë pa i dëgjuar askush dhe shpërfillja për jetën e një njeriu, kushdo qoftë ai, është në kufijtë e kriminales.

Atë e vranë të gjithë nga pak, madje e panë live vdekjen e tij, alternativën e vetme që i lanë për të treguar pafajësinë e tij. U prehsh në paqe Pal!/ Blendi Fevziu