zoom

Aktualitet

Shpërndante heroinë në qytet, prangoset në Berat 45-vjeçari

Një tjetër i dyshuar u kap në kuadër të operacionit të koduar “Tempulli”, këtë herë në qytetin e Beratit. Në pranga ra Bledar Pupuleka, 45-vjeç, pasi u kap me heroinë të ndarë në doza, gati për shitje në lagje të ndryshme.

Gjatë kontrolleve, policia ka gjetur dhe sekuestruar  dozat e lëndës narkotike, një shumë parash të përfituara nga shitja e tyre dhe një celular.

Njoftimi i policisë:

“Goditje të përditshme kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”. U kap në flagrancë me një sasi heroinë që e kishte ndarë në doza, me qëllim shitjen në lagje të ndryshme të qytetit të Beratit, vihet në pranga 45-vjeçari. Sekuestrohen dozat e lëndës narkotike, një shumë parash të përfituara nga shitja e tyre dhe një celular.

Ditën e djeshme, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, Policia e Beratit vuri në pranga 2 shpërndarës të tjerë droge. Nga hetimet intensive dhe kontrollet e pandërprera në të gjithë territorin e qarkut, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat arrestuan shtetasin B. P., 45 vjeç, banues në Berat.

45-vjeçari u kap në flagrancë, në lagjen “22-Tetori”, teksa mbante me vete, një sasi lënde narkotike heroinë, të ndarë në doza, për shitje në lagje të ndryshme të qytetit. Dozat e lëndës narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me celularin e të arrestuarit dhe me një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme”. /ZOOM.AL/