zoom

Aktualitet

Shpenzimet e Ramës me çarterin luksoz, 3 herë më shumë se të Cristiano Ronaldos

Mediat ndërkombëtare raportuan lajmin se futbollisti më i shtrenjtë në botë i të gjitha kohërave, Kristiano Ronaldo, kishte shitur avionin e tij privat.

Shuma që përfitoi nga shitja e tij nuk është bërë publike, por ajo që dihet është se në 2015 avionin e vogël Gulfstream G-200 e bleu për 20 milionë euro.

Ky avion ka kapacitet për dhjetë persona, arrin shpejtësinë 900 kilometra në orë dhe në bord ka një frigorifer, furrë ose mikrovalë, sistem telefonik etj.

Mediat raportojnë se në 7 vite në pronësi, Ronaldo e ka përdorur avionin edhe për biznes, pasi e ka lënë në duart e një kompanie për t’ua dhënë me qira futbollistëve të tjerë apo biznesmenëve, për një çmim nga 6000 deri në 10.000 euro në orë.

Kështu, ai ishte në gjendje të përballonte kostot e mëdha të mirëmbajtjes, si dhe pagesat për tre kapitenët dhe dy stjuardesa të punësuara.

Një detaj i rëndësishëm ky për të kuptuar sa shtrenjtë është operimi për një orë i një avioni, dhe sa shumë kushton mirëmbajtja e tij, pavarësisht se bëhet fjalë për një mjet fluturues të vogël.

Aq shumë shkojnë këto shifra sa edhe lojtari, që në vetëm dy vite kontratë do të fitojë sa 1 e 10 e Buxheti të Shtetit shqiptar, e ka të vështirë t’i paguajë.

Avioni i Ronaldos është shembulli më i mirë për të kuptuar shpenzimet e luksit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me avionin charter, për të cilin dihet shumë pak se si ka përfunduar në duart e tij, kush paguan dhe sa paguan.

Avioni që përdor Edi Rama prej më shumë se 3 vitesh është shumë më luksoz, më i madh dhe më i kushtueshëm se ai i Ronaldos. Vlera e tij ishte 60 milionë euro kur doli në treg dhe sot përllogaritet në 40 milionë.

Bëhet fjalë për avionin “Ismaili”, tip “TC-ANA, Airbus A319-100 ACJ”, të cilin kryeministri Rama e përdor në çdo lloj udhëtimi jashtë shteti, përfshi këtu edhe për distancat e shkutëra, si Shkup, Ohër apo Prishtinë.

Aeroplani i konfigurimit “Vip”, ka dhomë gjumi dhe mund të akomodojë deri në 32 pasagjerë, gati tre herë më shumë se ai i Ronaldos.

Ai përdoret nga Rama falë një marrëveshje që Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka lidhur kompaninë “Air Albania”.

Qeveria nuk i ka treguar asnjëherë faturat, ndërkohë që kostoja e “Ismailit” përllogaritet të jetë marramendëse, rreth 15 mijë euro për 1 orë fluturim, kundrejt 10 mijë eurove të avionit të yllit portugez të futbollit.

Pra sa herë që kreu i qeverisë vendos ta përdorë atë, për një udhëtim mesatar 2 orë vajtje dhe 2 orë ardhje, i kushton shqiptarëve nga 44 mijë deri në 60 mijë euro.

Kësaj shume i shtohen edhe shpenzimet që kërkon avioni për kohën e fluturimit nga Stambolli në Tiranë dhe anasjelltas, pasi gjatë kohës që nuk fluturon, ai qëndron i parkuar në Turqi.

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare i ka refuzuar kërkesat e Zoom.al për transparencë, ndërsa kompania “Air Albania”, pas të cilës dyshohet se fshihen të gjitha shpenzimet, nuk ka dorëzuar në QKB bilancet e saj.

Opozita flet për fatura 22 milionë euro, por ajo e la në mes betejën për të zbardhur ndoshta një prej aferave më të mëdha të shpërdorimit të parasë publike.

Edi Rama vazhdon ndërkohë ta përdorë Ismailin e tij i pashqetësuar, si të paguhej sa Kristiano Ronaldo, që merr 200 milionë euro në vit dhe jo si kryeministri i vendit më të varfër në Europë, që firmos një pagë mujore prej vetëm 1,700 eurosh, që për aq sa lëviz, nuk i dalin as për taksi nëse do paguante nga xhepi vet dhe jo ai i shqiptarëve. Zoom.al