zoom

Bota

Shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, opozita e Koresë së Jugut mocion për shkarkimin e Presidentit

Ligjvënësit e opozitës të Koresë së Jugut kanë filluar procedurat e shkarkimit të presidentit Yoon Suk Yeol për përpjekjen e tij të dështuar për të vendosur ligjin ushtarak.

Vendi u zgjua me një realitet të pasigurt të mërkurën pas një nate me skena të paprecedenta, ku Yoon tentoi të vendoste papritur ligjin ushtarak dhe 190 ligjvënës u mblodhën për ta votuar.

Pas paraqitjes së mocionit të shkarkimit, Partia Demokratike kryesore e opozitës së Koresë së Jugut dënoi deklaratën fillestare të ligjit ushtarak të Yoon si “sjellje kryengritëse”. Parlamenti do të duhet të votojë nëse do të shkarkojë Yoon deri të shtunën.

“Ne nuk mund të lejojmë më që demokracia të shembet. Jetët dhe siguria e njerëzve duhet të mbrohen”, tha Kim Yong-jin, një anëtar i komitetit qendror të Partisë Demokratike.

Ndërsa opozita akuzoi ministrin Kim Yong-hyun dhe ministrin e Brendshëm Lee Sang-min si “pjesëmarrësit kryesorë” të deklaratës së ligjit ushtarak.

Shkollat, bankat dhe zyrat qeveritare në Seul po funksionojnë si zakonisht, por protestat kanë vazhduar në të gjithë qytetin.

“Arrestoni Yoon Suk-yeol”, thërrisnin disa qytetarë të zemëruar ndërsa mbushnin rrugët.

Grupi më i madh i punës në Korenë e Jugut, Konfederata Koreane e Sindikatave, u zotua të mërkurën se do të hyjë në grevë të pacaktuar derisa presidenti të japë dorëheqjen.