zoom

Bota

Shokohet grupi i OKB, gjen varr masiv në hyrje të spitalit Al-Shifa. Pacientët në mëshirë të fatit

Në Gaza dëgjohen vetëm bombardimet izraelite. Situata në terren mbetet katastrofike. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar spitalin më të madh të Gazës, Al-Shifa, një “zonë vdekjeje”.

Ekspertët e OKB gjetën një varr masiv në hyrje të spitalit. Rreth 300 pacientë kanë mbetur aty në mëshirë të fatit, por së fundmi është bërë i mundur evakuimi i 31 foshnjeve, të cilat ndodheshin në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas “CNN”, ato janë dërguar në spitalet europiane dhe në jug të Rripit të Gazës.

Ndërkohë, 80 civilë janë vrarë nga sulmet në kampin e refugjatëve në Gazën veriore, ndërsa planet izraelite për të zgjeruar operacionet në jug kanë shtuar edhe më tej frikën për qindra mijëra civilë që kanë kërkuar strehim atje. Po ashtu, dhjetëra palestinezë, përfshirë edhe fëmijë kanë humbur jetën nga sulmet ajrore në disa shkolla.

Edhe pse u aludua se mund të arrihej një marrveshje mes Izraelit dhe Hamasit, kryeministri Netanjahu i ka mohuar këto informacione duke i quajtur raporte të rreme.

Të paktën 12,000 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori. Ndërsa numri zyrtar i të vrarëve në Izrael nga sulmet e Hamasit është rreth 1,200.