zoom

Bota

Shkon në 4 numri i të vdekurve pas sulmit në tregun e Krishtlindjes në Gjermani

Numri i të vdekurve si pasojë e përplasjes së një automjeti në tregun e Krishtlindjes në qytetin Magdeburg, është rritur në katër të shtunën, raporton gazeta gjermane Bild.

Një burrë saudit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për t’u marrë në pyetje, si i dyshuar për shtypjen e njerëzve me veturën e tij BMW në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg të premten mbrëma.

Policia nuk e ka komentuar të shtunën numrin e raportuar të viktimave. Të premten, zyrtarët vendës njoftuan se të paktën dy njerëz u vranë dhe paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet.

Bild raportoi se 41 njerëz u lënduan rëndë, 86 janë duke u mjekuar për lëndime të rënda dhe 78 të tjerë pësuan lëndime të lehta.

Autoritetet gjermane po e hetojnë një mjek saudit, 50-vjeçar, i cili ka jetuar në Gjermani për gati dy dekada, si të dyshuar për shkeljen e njerëzve me veturë në këtë treg.

Policia e bastisi banesën e tij gjatë natës.

Nuk është e qartë se cilat kanë qenë motivet e tij dhe policia ende nuk e ka emëruar zyrtarisht të dyshuarin.

Por, mediat gjermane e kanë identifikuar atë si Taleb A.

Një burim saudit i tha Reuters se Arabia Saudite kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për sulmuesin pasi ai kishte postuar qëndrime ekstremiste në llogarinë e tij personale në X, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë.

Der Spiegel raportoi se i dyshuari kishte shprehur simpati për partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Gazeta nuk e specifikoi burimin e informacionit.

Gazeta FAZ e Gjermanisë raportoi se e kishte intervistuar të dyshuarin në vitin 2019, duke e përshkruar atë si një aktivist kundër islamit.

“Njerëzit si unë, që kanë një kaluar islamike, por nuk janë më besimtarë, nuk përballen me as mirëkuptim as tolerancë nga myslimanët këtu”, citohet të ketë thënë ai.

“Unë jam kritiku më i madh i islamit në histori. Nëse nuk më besoni, pyesni arabët”, kishte thënë ai.

Kancelari gjerman Olaf Scholz mbërriti në Magdeburgun të shtunën paradite.

Socialdemokratët e tij kanë ngelur mbrapa AfD-së dhe opozitës konservatore, e cila prin, në sondazhe para zgjedhjeve të parakohshme të 23 shkurtit.

AfD-ja i ka udhëhequr thirrjet për luftimin e imigracionit në vend./REL

Postime të lidhura